Adriatik Balla 22.08.2015 18:25
Tek Tirana, objektivat e këtij sezoni janë të mëdha, por asnjëri nga zyrtarët, qofshin drejtuesit kryesorë të klubit, qofshin pjesëtarë të stafit teknik, nuk kanë dhënë qartësi në pozicionet e tyre, që do të thotë se nuk ka vend për eufori dhe optimizëm, nisur dhe nga emrat e ardhur në gjirin e grupit dhe vetë ekipin në tërësi. Ekipi shfaqet enigmatik, me shumë pretendime për një grup me lojtarë mesatarë.
Tirana ka objektiv titullin, kjo dihet, por vetë trajneri Shkëlqim Muça vështirë se e beson realizimin e këtij objektivi nga një skuadër e tillë në një kohë që ka përballë ekipe si Skënderbeu, Partizani dhe Kukësi që kanë grupe më cilësorë dhe lojtarë që luajnë prej kohësh me njëri-tjetrin. Parë në këtë kuadër, Tirana do ta ketë shumë të vështirë këtë sezon të arrijë majën.
Kjo pavarësisht faktit se klubi në tërësi i ka plotësuar boshllëqet e mëparshme dhe ka ushtrim të madh presioni për të formatuar një skuadër që di të përballojë rivalët dhe të jetë superiore ndaj tyre. Padyshim, rivaliteti më i madh i Tiranës (dhe jo vetëm i Tiranës, por i të gjitha skuadrave të tjera) në garën për titull do të jetë me Skënderbeun, që është padyshim ekipi që ka grupin më të mirë dhe të harmonizuar prej vitesh, pasi bërthama e lojtarëve ka disa edicione që luajnë bashkë.
Referuar fjalëve të trajnerit Muça thënë për mediat, Tirana e ka mbyllur merkaton, por për ndonjë element cilësor që bën diferencë dera mbetet ende e hapur.