AlbanianSport.com 31.07.2016 17:10
ASNN – Skuadra e Tiranës është rikthyer pasditen e djeshme në kryeqytet. Bardheblutë prej dy javësh ishin në një fazë përgatitore në Zlatibor të Serbisë. Gjatë qëndrimit në Serbi, të besuarit e trajnerit Ilir Dajës kanë luajtur katër ndeshje miqësore, ku fituan dy dhe regjistruan një barazim dhe një humbje.
Deri të martën lojtarët janë lënë pushim nga stafi teknik, kurse më pas do të vijohet me pjesën e dytë të përgatitjeve për sezonin e ri 2016-2017. Gjithashtu nëpërmjet njoftimit zyrtar klubi kryeqytetas bën me dije që do të ketë përforcime të rëndësishme që do të plotësojnë organikën e skuadrës.
Bardheblutë e Dajës e kanë mbyllur kështu fazën e parë përgatitore në Serbi për të vijuar prej të martës me pjesën e dytë për të bërë gati sezonin e ri. Në ditët e ardhshme, do të ketë disa përforcime të rëndësishme që pritet të plotësojnë organikën e skuadrës kryeqytetase.
“Ditët përgatitore në Serbi i kanë shërbyer stafit teknik për të përgatitur kontingjentin e lojtarëve, testuar disa futbollistë të ardhur në provë si dhe parë nga afër disa elementë të rinj të afruar në skuadër. Trajneri Daja ka lënë pushim në dy ditët e ardhshme lojtarët për të rinisur prej të martës stërvitjen”, shkruhej në njoftimin zyrtar të bardhebluve.