AlbanianSport.com 28/11/2014 18:20
ASNN – Te Tirana nuk e kanë pritur mirë ndëshkimin e dytë brenda pak javësh nga Komisioni i Disiplinës. Luajtja e 15 ndeshjeve të ardhshme pa tifozë është cilësuar nga trajneri Magani dhe kapiteni Bulku si një dënim kolektiv. Sipas tyre, duhet të dënoheshin vetëm shkaktarët e dhunës në sfidën e fundit kundër Elbasanit.
Në fakt, nuk e prisnin një dënim të tillë dhe pezullimin e Komisionit të Disiplinës për të ndëshkuar skuadrën me gjashtë ndeshje të tjera pa tifozë, te Tirana e cilësojnë të padrejtë. Edhe për kapitenin Ervin Bulku ndëshkimi kolektiv është I ekzagjeruar. Sipas tij, kamerat e stadiumit “Elbasan Arena” i mundësojnë autoriteteve të gjejnë dhe të dënojnë vetëm shkaktarët e dhunës.
Dënimi i fundit i shtohet atij që Tirana po vuante pas incidenteve në stadiumin e Shkodër. Kjo do të thotë se bardheblutë e kryeqytetit do të kenë mbështetjen e tifozëve vetëm marsin e vitit të ardhshëm. Një situatë që ndikon negativisht te skudra që kryeson renditjen, ndërsa prish edhe atmosferën e derbit me Partizanin.
Klubi i Tiranës do të apelojë vendimin e Komisionit të Disiplinës. Ndërkohë skuadra ka vijuar përgatitjet për ndeshjen e radhës në Kategorinë Superiore, ku për javën e 14-të do të luajë kundër Laçit.