AlbanianSport.com 08/07/2019 21:20
ASNN – Supozohej të zbriste sot në fushën e blertë, edhe për shkak se po shlyheshin pagat e prapambetura, por klubi i Tiranës duket se ka shtyrë nisjen e përgatitjeve për sezonin e ri. Nuk dihen ende arsyet konkrete, por mesa duket fakti që blerjet nuk janë ende në Shqipëri, e për më tepër do të kishte disa mungesa të rëndësishme në ditën e parë, ka stepur stafin teknik të bardhebluve për të nxjerrë lojtarët që sot në fushë.
Futbollistët janë njoftuar se do të lajmërohen në orët në vijim për ditën dhe orën e fillimit të përgatitjeve. Deri më tani Tirana ka zyrtarizuar tri afrime, pikërisht Elton Kale, Agustin Torasa dhe idriz Batha, ndërsa rikthimi i Tefik Osmanit është praktikisht një çështje e mbyllur. Tirana është në fakt një nga ekipet që ka bërë më mirë në merkato, të paktën në letër, aty ku klubi bardheblu ka afruar futbollistë me peshë.
Agustin Torasa, Elton Kale dhe Idriz Batha kanë arritur marrëveshjen me bardheblutë dhe janë prezantuar nga kryeqytetasit. Nuk do të ketë vetëm afrime, pasi trajneri Ardian Mema ka bërë dhe “listën e zezë”. Ai nuk ka më në plane dy mbrojtësit Marvin Turtulli dhe Jorgen Goxha.
Asnjërit prej tyre nuk do t’i ofrohet rinovim dhe drejtuesit do të mundohen të ndajnë rrugët me ta. Mema shpreson që të përforcojë mbrojtjen me ndonjë emër cilësor. Andi Lila po mban në pritje 24 herë kampionët e vendit, ndërsa nuk mungojnë as alternativat e tjera që po studiojnë drejtuesit e klubit.