AlbanianSport.com 13.08.2015 18:05
ASNN – Tirana ka fituar me një rezultat të pastër 3-0 miqësoren me Korabin. Në takimin e zhvilluar në kompleksin stërvitor të “Skënder Halili” në kryeqytet, trajneri i bardhebluve, Shkëlqim Muça, pati mundësinë për të kolauduar skuadrën, duke marrë të dhëna të vlefshme për individët. Ndeshja është luajtur në kushte të vështira, pasi reshjet e rrëmbyera të shiut e rënduan terrenin dhe madje erdhi e detyrueshme ndërprerja e ndeshjes për rreth 10 minuta.
Por, pavarsisht kushteve të vështira, sinjalet pozitive nga bardheblutë nuk munguan për trajnerin, i cili aktivizoi që nga minuta e parë Frashërin, Muçën, Pashaj, Gërçaliun, Smajlin, Teqjen, Bulkun, Sefën, Malaj, Gilman Likën dhe Fukuin. Goli i parë u shënua pikërisht nga mesfushori shkodran, me Likën që në minutën e 41-të shfrytëzoi specialitetin e tij, goditjet nga larg. Ndërsa katër minuta më vonë ka ardhur edhe goli i dytë.
Në të 45-tën minutë, i ndodhur para portës ka shënuar me një gol me kokë rikthimin e tij te bardheblutë dhe mbrojtësi Gentian Muça. Në minutën e 61-të shënoi dhe talenti i marrë nga Vëllazërimi, Kadriu i cili është në provë këto ditë te bardheblutë, duke shpresuar të marrë miratimin përfundimtar të Muçës për qëndrimin te Tirana. Edhe pse nuk shënoi, spikati sërish mjaft pozitivisht me veprimet e tij japonezi Fukui.
Ndërkohë që nuk u aktivizuan në miqësore dhe blerjet e reja, Zhilberto Fortunat & Vucaj si dhe i rikthyeri Edvan Bakaj, të cilët zhvilluan stërvitje të diferencuar.