AlbanianSport.com 05.12.2014 16:50
ASNN – Partizani-Tirana është ndeshja që do të mbyllë javën e 15-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Përpara kësaj sfide, sulmuesi i Tiranës, Elis Bakaj tregon për emocionet që ndjen si një ish-lojtar i Partizanit. Ai është tepër i kënaqur që tifozët e skuadrës bardheblu do të rikthehen në stadium për të mbështetur skuadrën e tyre. “Jam shumë i lumtur që tifozët tanë do të jenë të pranishëm në Stadium Kombëtar “Qemal Stafa”, – ka deklaruar Bakaj. – Ky vendim ishte më i drejti që mund të merrej. Shpresoj që spektakli të jetë si në fushë, ashtu edhe në shkallet e stadiumit.”
“Çdo derbi ka një specifikë të veçantë, – ka vijuar ai. – Edhe kjo sfidë nuk do të bëjë përjashtim dhe pa dyshim do të jetë një përballje e bukur. Jo vetëm ne lojtarët, por edhe tifozët po e presin me padurim këtë ndeshje. Kam besim që do të jetë një reklamë e mirë për futbollin shqiptar.” Derbi i kryeqytetit midis Partizanit dhe Tiranës ka gjithë javës që ndjehet në ambjentet e të dyja skuadrave. Kur ka mbetur fare pak deri të hënën që do të luhet kjo sfidë, sulmuesi i bardhebluve, Elis Bakaj, është shprehur i kënaqur që do të rikthehen tifozët e Tiranës në stadium. Si një ish-lojtar i Partizanit, Bakaj do ta luajë derbin e së hënës me bluzën e Tiranës.
“Në planin personal nuk ndihem si një “ish”, në fakt, – ka theksuar futbollisti bardheblu. – Unë kam luajtur shumë derbi gjate karrierës sime, ndaj e them me pastërti që nuk kam kurrfarë emocionesh të veçanta. Jam i motivuar maksimalisht, pasi u bë një kohë e gjatë qe s’kam luajtur një derbi me tifozë. Në fakt, atë ndeshjen e fazës së parë nuk e llogaris fare, përderisa stadiumi ishte i boshatisur. Te Partizani nuk kam shumë miq, pasi njoh pak lojtarë. Veçoj Vilen dhe Vrapin, por të tjerët nuk i njoh shumë, pasi janë futbollistë te rinj qe jane afruar rishtas. Megjithate, nuk ka lidhje miqesia, pasi kush më njeh mua, e di që edhe prindërit të kisha përballë në fushë, do të tentoja që t’i mundja.”
“Brenda fushës, unë dua që të fitoj, miqësia mbetet jashtë 90-minutëshit, – ka vijuar ai. – Jam i gatshëm që të jap maksimumin tim, për ta ndihmuar ekipin që të marrim më të mirën në këtë ndeshje.” Ai mendon se në përfundim të këtij takimi, Tirana do të rikthehet në krye të renditjes. “Partizani ka një mbrojtje të mirë dhe kjo duhet pranuar, – ka theksuar sulmuesi. – Megjithatë, unë kam besim që ne nuk do të kemi asnjë problem për t’i shënuar. Kjo sfidë nuk është vendimtare për titullin, pasi jemi ende në fazën e dytë dhe ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur. Të dyja klubet kanë objektiva madhore, por synimi ynë fillestar është që ta kalojmë me sukses derbin.”