AlbanianSport.com 20/12/2017 15:25
ASNN – Prej disa kohësh, jo vetëm për “Tirona Fanatiks”, por dhe për “Ultras Guerrils” të Partizanit, ka nisur kërkesa për paraqitjen në stadium, apo Pallat Sporti me karta identiteti, apo dhe çdo mjet tjetër identifikimi.
Nisur dhe nga rasti i fundit i derbit të basketbollit Partizani-Tirana, atje ku u impenjuan të gjitha komisariatet e kryeqytetit, shto dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë, apo dhe të “Shqiponjave”, tashmë rregullat janë shtrënguar sidomos për “ultrasit”.
Vetëm ndërhyrja e policisë shmangu përplasjen mes këtyre dy grupimeve, ndërsa, gjithnjë sipas të dhënave të forcave të rendit, janë sekuestruar “bomba Molotov”, shkopinj bejsbolli, shufra hekuri të bëra gati për t’u ndeshur.
E që në atë moment, por dhe më pas, jo vetëm që u bë ndarja e tifozëve të të dy palëve në hyrje të veçanta, por u kërkua karta identitetit për të shoqëruar biletën. Dhe kjo kërkesë ka vijuar më pas në ndeshjen e futbollit Partizani-Teuta.
Atje ku grupimi “Ultras Guerrils” refuzoi të hynte në Stadiumin “Selman Stërmasi” dhe përsëritet dhe tani në prag të ndeshjes së Ligës Ballkanike të basketbollit meshkuj, Tirana-Blokotena.
Mbajtja e kartës së identitetit, apo dhe çdo mjeti identifikues, është detyrim për çdo qytetar, sepse në të kundërt, në një ndalim nga forcat e rendit, bëhet dhe shoqërimi në komisariat për verifikim.
Por a është e shtuar si kërkesë? Në fakt është gjithçka e përmbajtur në Ligjin e Sportit, ndërsa janë ngritur dhe komisionet e shqyrtimit të kundërvajtjeve sportive nëpër komisariate.
Pavarsisht se ha diskutim, por që ka ardhur e shtuar si kërkesë pas atyre që kanë ndodhur në derbet e fundit Tirana-Partizani e anasjelltas.