Nga Altin B. Kodra 23.01.2015 13:10
Në fakt, teksa priste prej ditësh, e përtej çdo afati zyrtar dhe institucional, informacion mbi përgjigjen e testit B të antidopingut të Daniel Godellit, dhe kjo jo më tepër për vetë fatin e sportistit, sesa për fatin e Shqipërisë që si vend rrezikon pezullimin dhe një gjobë të majme, media shqiptare mori një lajm tjetër, po nga peshëngritja, një lajm që fatkeqësisht nuk mori vëmendjen e merituar.
Bëhet fjalë për dorëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Muharrem Berisha. Nuk kam dëshirë aspak të futem nëpër labirintet e teorive konspirative të larmishme që na karakterizojnë si popull, të tipit “pse, si, kush, mbase, ngaqë, sepse, prandaj”, e të tjera e të tjera. Aq më pak, në kushtet kur ka më tepër mjegull sesa qartësi, nuk kam dëshirë të bëj gjykatësin se kush e mban përgjegjësinë në atë që është shndërruar në një skandal të madh të dopingut shqiptar.
Kjo edhe për arsye se një gjë të tillë nuk po e bëjnë as instancat që e kanë për detyrë dhe sepse, për bindjen time personale, besoj që Muharrem Berisha është personi që ka më pak përgjegjësi dhe që ka bërë 120% të mundësive të tij që kur ka ardhur në atë post. Koha do ta zbulojë se si ka qenë e vërteta, se kush e kishte fajin apo si erdhëm deri në këtë pikë.
Ajo që mua më bëri përshtypje ishte pikërisht gjesti i numrit 2 që qeveris shtangën shqiptare. Dikush mund ta cilësojë si një gjest naiv, e për më tepër në një vend ku gjithnjë e më tepër çudia më e madhe nuk po zgjat më as 3 ditë, dikush mund ta cilësojë të nxituar, ndërsa dikush madje mund të tjerrë edhe më tepër në teoritë e konspiracionit mbi atë se kush e kishte fajin.
Për mua, kjo dorëheqje ishte thjesht një standard që na mungon, ishte thjesht ashtu: Thjesht një gjest qytetar…