AlbanianSport.com 10/09/2021 22:40
ASNN – Trajneri shkodran i Teutës ia atribuon karakterit të skuadrës fitoren ndaj Partizanit. Një fitore ishte mënyra më e mirë për ta nisur sezonin e ri të Kategorisë Superiore, e për më tepër ndaj një rivali si Partizani. Dhe trajneri i Teutës, Edi Martini ai ka atribuuar këtë fitore karakterit të skuadrës. “Ky ekip armën më të fortë ka grintën dhe karakterin, – ka thënë ai, duke folur pas ndeshjes për mediat. – Djemtë japin 120% të tyre. Kanë autoritet prej kampioni dhe vazhdojnë ta tregojnë gjithnjë e më shumë.”
“Partizani luajti mirë, është e vështirë të flasësh për titullin, – ka vijuar trajneri i bregdetarëve. – Kjo ndeshje mund të dilte dhe barazim. Partizani na vuri në vështirësi, humbi edhe 11-metërsh. Në ndeshje të tjera nuk mund të veprosh kështu, po të lëshosh kështu terren, mund edhe të ndëshkohesh. Për 11-metërshin nuk jam i bindur, sepse nuk e kam parë në televizor.” Kreu shkodran i stolit durrsak e ka vlerësuar skuadrën aktuale si më të mirë sesa ajo e sezonit të shkuar, kur u shpall “kampion”.
“Ne jemi më mirë se vitin e kaluar, – ka këmbëngulur ai. – Janë lojtarë të rinj në mbrojtje dhe portieri. Ka ikur Bregu është rikthyer Kallaku. Jemi më mirë. Me përjashtimin e 2-3 lojtarëve që kanë ardhur vonë dhe nuk janë në formën optimale. Mos harrojmë që kemi edhe Lorenco Vilën e dëmtuar. Them që do të jemi më mirë se vitin e shkuar. Giorgevi vrapon shumë, konsumon shumë energji. Gjithsecili ka të mirat dhe të këqijat e veta. Shpresoj që do të na ndihmojë shumë.”
“Kemi lojtarë të tjerë që mund ta zëvendësojnë dhe është një pikë e mirë e ekipit tonë”, – ka shtuar 46-vjeçari, që megjithatë e pohon se rezultati është më i rëndësishëm sesa loja. “Goli na imponoi që të ktheheshim, për meritë dhe të Partizanit, – ka thënë Martini. – Duhet të ishim më të qetë në qarkullin e topit. Bëmë gabime në mesfushë. Shumë gjëra duhet të riparohen. Ishte dhe meritë e Partizanit mënyra se si ne luajtëm sot. Por, në këtë fazë, rëndësi kanë më tepër pikët.”
Teuta udhëton drejt Shkodrës për t’u ndeshur me Vllazninë në javën e dytë të Kategorisë Superiore.