AlbanianSport.com 03.12.2015 20:45
ASNN – Tirana nuk shkon më shumë se një barazim pa gola 0-0 me Teutën në ndeshjen e zhvilluar në Durrës në stadiumin “Niko Dovana”, që u transmetua nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Loja është zhvilluar e barabartë nga të dyja skuadrat me raste të pakta për shënim.
Në pjesën e parë janë miqtë nga kryeqyteti që krijojnë rastin e parë në portën durrsake në minutën e 7-të, por portieri Moçka ndalon goditjen e shkodranit Lika. Më pas, në të 16-tën, Karabeci godet me të majtën nga jashtë zone dhe topi prek shtyllën horizontale të portës vendase.
Sërish rrezikon Tirana me anë të Gilman Likës, që ekzekuton bukur një goditje dënimi mbi 25 metra në minutën e 29-të, por edhe portieri Moçka në pozicion grushton mjaft bukur. Në 44-tën, Teuta rrezikon, kur Muça gjuan brenda zonës, por portieri Bakaj e largon topin në goditje këndi.
Edhe pjesa e dytë luhet me të njëjtin ritëm. Të dyja skuadrat, rrezikojnë por pa mundur të finalizojnë. Me këtë barazim, Tirana mbetet në vendin e 5-të të renditjes, me 21 pikë ndërsa Teuta në të 3-tin, me 27 pikë. Në ndeshjen tjetër të javës së 14-të, Skënderbeu ka fituar 4-0 me Bylisin dhe ruan pozitat në vendin e dytë në renditje.