AlbanianSport.com 19/08/2021 20:15
ASNN – Kapiteni 35-vjeçar i Teutës “var këpucët në gozhdë” pas një karriere plot trofe. Tanimë me dëshirën e tij të përmbushur, duket se ka qenë më e lehtë për të marrë vendimin e madh. Renato Arapi i ka dhënë fund futbollit të luajtur dhe, pas 18 vitesh në futbollin profesionist, kapiteni “kampion” i Teutës ka vendosur të varë këpucët në gozhdë.
Në stërvitjen e Teutës të mërkurën, mbrojtësi 35-vjeçar është përshëndetur me shokët e skuadrës. Ka qenë një vendim i papritur ky për shumëkënd, por jo për vetë Arapin, i cili duket se e ka menduar gjatë. Dhe, pas një sezoni të rralë me skuadrën e zemrës, të cilën e riktheu tek titulli pas 27 vjetësh, ka vendosur ta mbyllë me futbollin e luajtur.
Arapi e ka nisur karrierën me moshat e Teutës, për të kaluar më pas te Dinamo ku debutoi në Superiore në sezonin 2002-2003. Mbrojtësi fitoi më pas 6 tituj “kampion” radhazi me Skënderbeun, si dhe një me Teutën si kapiten. Duket se ëndrra e realizuar për fitimin e titullit në Durrës ia bëri më të thjeshtë vendimin për t’u tërhequr nga futbolli.
Tanimë kapiteni historik do të shijojë disa javë pushim, për t’u rikthyer tek futbolli, por në një rol tjetër, teksa Teuta e mirëpret sërish. “Pas një periudhe 3-vjeçare të bashkëpunimit, klubi dhe kapiteni Renato Arapi, i kan thënë mirupafshim njëri-tjetrit duke i lënë një dere të hapur për të ardhmen”, – thuhet ndër të tjera në postimin e klubit bregdetar.