AlbanianSport.com 04.03.2017 21:15
ASNN – Ka qenë një ditë barazimesh kjo e shtunë e javës së 24-t të Kategorisë Superiore, pasi edhe Skënderbeu nuk mundi të shkojë më tepër se një 1-1 në Korçë përballë Teutës. Skuadra durrsake ka bërë një paraqitje shumë të mirë përballë korçarëve, duke i ndalur vrullin prej 5 ndeshjes që vetëm fitonin dhe nga ku rikuperuan largësinë që kishin me Kukësin kryesues.
Skuadra durrsake, e drejtuar nga trajneri Gugash Magani, ka një tjetër fytyre në lëtë gjysmë të re të sezonit dhe këtë e tregon përballë kujtdo kundërshtari. Dhe, në Korçë, Teuta kaloi e para në epërsi, pasi goditja e Hilës rrok në fillim shtyllën horizontale, ndërkohë që portieri Shehi gjendet i papërgatitur për të reaguar si duhet dhe Musta vetëm e shtyn në rrjet.
Në pjesën e dytë skuadra korçare e shton presionin ndaj kundërshtarit, duke kërkuar me çdo kusht të paktën barazimin dhe e arrin me një kundërsulm kur Xhejms kalon me lehtësi Kastratin. Ndërkohë, janë luajtur sot pasdreke dy takimet e para të javës së 24-t të nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, dhe Tirana nuk ka mundur të rikthehet te fitorja as në ndeshjen e kësaj të shtune ndaj Korabit.
Ky takim, që u zhvillua në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, u mbyll në barazim 1-1. Kësisoj, Tirana nuk fiton që prej 18 dhjetorit të vitit të kaluar në Kategorinë Superiore, çka konfirmon krizën e rezultateve të bardhebluve. 6 ndeshje pa fitore në një fazë janë shumë për një skuadër që ka fituar 24 herë titullin “kampion”. Ndërkohë, dy golat e kësaj ndeshje u shënuan brenda 5 minutave.
Në të 40-n, shënoi Kaja për Korabin, ndërsa në fundin e pjesës së parë barazoi Edeh. Një barazim që ndoshta nuk i bën shumë punë Korabit, por të paktën ndikon në moralin e skuadrës, në ndryshim nga Tirana, që përveç pikëve vazhdon të humbasë dhe moralin. Ndërkohë, në barazim u mbyll edhe ndeshja tjetër mes Luftëtarit dhe Vllaznisë. Por në ndryshim nga takimi Korabi-Tirana, në këtë ndeshje rrjetat mbetën të paprekura.