AlbanianSport.com 28/08/2021 18:55
ASNN – Dueli tradicional që ngre siparin e sezonit të ri futbollistik në vend, Superkupa e Shqipërisë, është luajtur të shtunën në mbrëmje dhe, sikundër çdo eveniment madhor sportiv, edhe kjo ndeshje është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 1. Ky duel tradicional vuri përballë njëra-tjetrës dy skuadrat që i dhanë tonin sezonit të shkuar, duke ndarë edhe trofetë.
Teuta u shpall “kampione” e Shqipërisë, duke u rikthyer tek titulli pas 27 vjetësh, por vetëm në ndeshjen e fundit dhe vetëm falë një golaverazhi më të mirë. Ndërkaq, Vllaznia, që ishte skuadra që i sfidoi deri në fund bregdetarët në betejën për titull, u ngushëllua me trofeun e Kupës së Shqipërisë, teksa mposhti minimalisht në finale Skënderbeun.
Dhe pjesa e parë e ndeshjes së zhvilluar në Stadiumin “Elbasan Arena”, ka parë shkodranët ta nisin më mirë në minutat e para, por më pas janë durrsakët që rrezikojnë më tepër. Sidoqoftë, herë për pasaktësi në finalizim, herë për meritë të mbrojtjes dhe portierit të Vllaznisë, Zogoviç, Teuta, por as Vllaznia, nuk arrijnë ta gjejnë dot golin dhe 45 minutat e para janë mbyllur me rrjeta të paprekura.