AlbanianSport.com 20/03/2021 19:25
ASNN – Të dyja skuadrat vijnë në përballjen e së dielës pak a shumë në të njëjtat pozita, në atë që është padyshim sfida kryesore e javës së 24-t të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Partizani-Teuta. Të dyja ekipet qëndrojnë në kuotë të njëjtë pikësh, teksa të dielën do të kërkojnë fitoren për të bërë një hap më shumë drejt titullit. Nga njëra anë, dursakët vijnë me moral të ngritur pas eliminimit të Kukësit në Kupë, por ndryshe është situata në kampionat, teksa në dy ndeshjet e fundit kanë arritur të barazojnë dy herë, duke humbur terren ne tabelën e renditjes.
Nga ana tjetër, Partizani u eliminua në Kupë, por vjen pas triumfit në derbi në kampionat. Dhe, duke folur në prag të ndeshjes ndaj të kuqve të kryeqytetit, trajneri i Teutës, Edi Martini, ka deklaruar se në këtë fazë, skuadrën e tij do ta ndihmojë më tepër cinizmi sesa loja e mirë. “Jam me atë që sulmi, mbrojtja dhe mesfusha janë një, – ka theksuar ai. – Sulmohet dhe mbrohet me çdo lojtarë. Kanë detyrë të shënojë kushdo. Janë edhe goditjet standarde, janë edhe mesfushorët në lojë. Me rëndësi është të fitojë ekipi dhe ata që luajnë në sulm të punojnë për ekipin në të dyja fazat.”
“Shpresojmë të fitojmë, – ka vijuar shkodrani i stolit të durrsakëve. – Preferoj të luaj keq, si me Kukësin, dhe Partizani të luajë mirë, si me Laçin, dhe në fund të fitojmë ne. Ekipet poshtë u kanë marrë pikë edhe ekipeve të tjera, Kastrioti ka ndalur edhe Laçin e Partizanin. Edhe Bylisi u ka marrë pikë në Ballsh të tjerëve. Nuk është se ne me ta barazuam në Durrës, ku do ishte shumë hap fals. Megjithatë me Kastriotin e bëmë një hap fals, e nënvlerësuam kundërshtarin dhe menduam për kupën dhe ndeshjet e tjera të kampionatit me rivalët kryesorë.
“Nuk ka ekipe të dobëta e të forta, diferencat janë të vogla dhe duhet përqendrim, – ka shtuar ai. – Tre pikët të çojnë përpara, pavarësisht kundërshtarit.” Në fund, ai ka folur edhe për “thatësirën” e Krasniqit sa i përket shënimit të golave. “Ky është këndvështrimi juaj. Kemi pasur raste plot dhe nuk i kemi shfrytëzuar. Ne kemi shpërdoruar pafund, edhe të fundit e të parafundit. Ekipi mbron i gjithi dhe sulmon i gjithi. E rëndësishme është ta dalim para porte dhe pastaj është edhe çështje fati”, – ka përfunduar trajneri i Teutës, Edi Martini, duke folur të shtunën në konferencën për shtyp.