AlbanianSport.com 17/03/2021 21:55
ASNN – Duke folur pas ndeshjes së fituar me një gol të vetëm në shtëpi përballë Kukësit, trajneri i durrsakëve, Edi Martini u shpreh se skuadra e tij bëri një ndeshje shumë të mirë. “Unë e kam thënë edhe gjatë sezonit, se në momentet që jemi rrëzuar mësojmë të ringrihemi, – ka thënë ai. – Ky është nga karakteri i tyre, që nuk ndalen për asnjë moment në stërvitje dhe në ndeshje. Sot na takon të gëzohemi pak. Kemi të dielën ndeshjen me Partizanin, ku duhet të jemi të fokusuar dhe të bëjmë maksimumin.
Kualifikimi është shumë i rëndësishëm për ne, – ka vijuar shkodrani i stolit të bregdetarëve. – Këto janë ndeshje që janë shumë të rrezikshme. Mjafton që të bësh një gabim dhe nuk e merr veten. Do doja golin e dytë që të ishim më të qetë. Megjithatë dukë parë që kishim një kundërshtar si Kukësi, që kanë një ekip shumë të mirë duhet të jemi të kënaqur. Unë mendoj se sa më të rëndësishme të jenë ndeshje, aq më shumë karakter dhe grintë ka ekipi.”
“Nuk dua t’i kthehem ndeshjen me Kastriotin, por mund të them se ky është një ekip me grintë. Ne kemi pësuar gola në momente të veçanta. Sot djemtë ishin më të vendosur. Mendoj se sot ekipi vendosi shpirtin në fushë. Ishim të vendosur mirë prapa dhe nuk rrezikuam. Dua të përgëzoj ekipin, pasi bënë një ndeshje shumë të mirë. Më bëhet qejfi shumë për këtë që treguan”, – ka përfunduar trajneri i Teutës, Edi Martini.