AlbanianSport.com 20/12/2017 11:15
ASNN – Teuta është mundur sërish në fushën e vet. Edhe pse ka shënuar e para nuk ka mundur të ruajë epërsinë, duke pësuar dy gola nga Kukësi dhe të humbasë 3 pikë të tjera. Skuadra durrsake vazhdon të përsërisë veten, me gabime të shumta në mbrojtje e sulm, pa mundur të reagojë për mirë. Teuta po vuan një sëmundje të pashërueshme dhe trajneri i saj Gugash Magani nuk po gjen dot ilaçin për ta shëruar.
Duke folur për RTSH Sport, ai është shprehur se duhet punuar shumë për të zgjidhur këtë problem serioz. Edhe pse shënojnë të parët, durrsakët nuk arrijnë të administrojnë dot rezultatin. Sulmuesit nuk kanë më aftësi të realizojnë në portat e kundërshtarëve. Ky është një problem i madh për “Djemtë e detit”. Por Magani ka theksuar se, përveç sulmit, skuadra e tij vuan shumë në mbrojtje.
Teuta ka lojtarë me eksperiencë që luajnë prej kohësh me këtë skuadër. Magani i ka besuar fanellën e titullarit edhe shumë të tjerëve të ardhur këtë sezon por ata nuk po e justifikojnë besimin e tij duke treguar mungesë personaliteti. E megjithatë trajneri peqinas nuk dorëzohet. Ai nuk jep dorëheqjen dhe ta lejë skuadrën në mes të kampionatit.
Magani, si një trajner profesionist ka theksuar se mban përgjegjësi për ekipin e tij. Por për të vazhduar më tej në këtë kampionat me rezultate pozitive ka kërkuar nga drejtuesit e klubit lojtarë të tjerë gjatë merkatos së janarit.