AlbanianSport.com 10/02/2019 16:35
ASNN – Në kuadër të javës së 11-të në Superligën e Meshkujve në Basketboll, u luajt të dielën ndeshja e fundit e kësaj jave, ajo mes Partizanit dhe Teutës, e cila rezultoi një fitore e madhe për ekipin durrsak. Ndeshja e luajtur në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, përfundoi me fitoren e “Djemve të detit” 92-79, gjë që solli afrimin e ndjeshëm të Teutës me kreun, pra Goga Basketin, duke lënë kështu prapa në vend të 3-të Partizanin.
Ishte një duel direkt mes pretendentësh për titull, pasi dihet që rivaliteti për trofeun kryesor të kampionatit këtë sezon është shumë i fortë. Që në 10-minutëshin e parë të lojës u pa qartë se do të ishte një duel i rivalizuar dhe me mjaft emocione. U shënuan shumë pikë nga të dyja skuadrat por në fund këtë pjesë e fitoi Partizani me shifrat 26-24. Në 10-minutëshin e dytë durrsakët e përmirësuan ndjeshëm lojën e tyre, u treguan më efikasë në goditjet e tyre për dy pikë.
Dhe në fund e fituan këtë pjesë me shifrat 28-22. Pra Teuta shkoi në pushimin e madh të ndeshjes në epërsi me shifrat 52-48. Në veçanti në këtë pjesë loje shkëlqeu CJ Uillson me goditjet e sakta për 3 pikë, por edhe loja mbrojtëse mjaft e mirë e bregdetarëve, që e bllokuan Partizanin të diktonte ritmin e tij. Në 10-minutëshin e tretë pati një ekuilibër të plotë ndërmjet të dyja skuadrave, që luftuan për çdo pikë e për çdo top në tabelë.
Kjo pjesë përfundoi me shifrat 20-20, duke e lënë të hapur ndeshjen deri në fund. Por pikërisht në 10-minutëshin e katërt dhe të fundit ndodhi diferenca që pritej nga skuadra durrsake. Cilësia në organikë, përgatitja e mirë fizike dhe epërsia psikologjike sollën distancimin e ekipit bregdetar, që shënoi 20 pikë edhe në pjesën e fundit, ndërsa Partizani realizoi vetëm 11 pikë. Kështu që krejt ndeshja përfundoi me shifrat 92-79 për ekipin e Teutës.
13 pikë diferencë në këtë ndeshje janë në përputhje me atë që u pa në parket, por njëherësh tregojnë se Teuta do të jetë favoritja kryesore për të fituar titullin. Kjo formë e mirë e bregdetarëve është shfaqur dhe në Ligën Ballkanike, ku Teuta ka siguruar 4-shen finale, pra zonën “play-off”, e momentalisht mban vendin e tretë.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 11-të
Të premten, 8 shkurt 2019:
Tirana – Kamza Basket 89-59
Salla Sportive “Fahrie Hoti”, Tiranë
Të shtunën, 9 shkurt 2019:
Vllaznia – Goga Basket 76-90
Pallati i Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër
Të dielën, 10 shkurt 2019:
Partizani – Teuta 79-92
Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, Tiranë
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Goga Basket 11 9 2 20
- Teuta 11 8 3 19
- Partizani 11 7 4 18
- Tirana 11 5 6 16
- Kamza Basket 11 3 8 14
- Vllaznia 11 1 10 12