AlbanianSport.com 29.11.2016 21:45
ASNN – Tirana i ka dhënë sot fund pritjes 5-vjeçare, duke u rikthyer tek trofeu i Kupës së Shqipërisë, pasi ka mposhtur në finale Teutën me shifrat 89-73, dhe, për më tepër, ka dëshmuar se mbetet një “planet më vete” sa i përket këtij sezoni të basketbollit shqiptar të meshkujve. Bardheblutë e drejtuar nga trajneri Nikola Milatoviç po tregojnë një përmirësim të jashtëzakonshëm ndeshje pas ndeshjeje dhe duket se kundërshtar në rrugën drejt trofeve kanë vetëm veten.
Finalja e meshkujve, e cila, ndryshe nga ajo e femrave nuk u ndërpre për shkak të problemeve me energjinë në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, por, për të njëjtën arsye nisi me mbi një orë vonesë, ka folur vetëm për bardheblutë, të cilët e fitojnë pjesën e parë 26-19. Edhe pjesa e dytë ka thuajse të njëjtën tablo, pasi Tirana e ka fituar edhe atë 17-11, duke shkuar në pushim e madh midis dy gjysmave duke kryesuar 43-30.
Ajo që do t’i vërë vulën triumfit bardheblu, do të jetë pjesa e tretë, të cilën ata e fitojnë me 15 pikë epërsi, 27-12, duke kryesuar kështu bindshëm pas një gjysmë ore lojë, në shifrat 70-42. Kjo epërsi e thellë ka bërë që Tirana ta ulë ritmin në 10-minutëshin e fundit dhe të tërheqë nga loja titullarët, duke u dhënë hapësirë edhe lojtarëve të stolit. Teuta ka përfituar, duke e fituar këtë pjesë 31-19, por kjo ka mjaftuar vetëm për ta zbutur pak humbjen në shifrat 73-89.
Plot 16 herë e ka fituar tanimë Tirana Kupën e Shqipërisë në basketboll për meshkuj, tek e cila skuadra bardheblu kthehet pas 5 vjetësh, pasi për herë të fundit e pati fituar më 2011-ën. Duket se tashmë koha është e kësaj skuadre, e cila, me një përbërje ku ndërthuren disa titullarë të Kombëtares kuqezi me disa lojtarë të huaj dhe me një numër të rinjsh premtues, shpreson që të dominojë basketbollin shqiptar të meshkujve, pse jo, edhe të guxojë për më larg në Ligën Ballkanike ku po merr pjesë.