AlbanianSport.com 15/01/2021 23:55
ASNN – Vllaznia marshon, Teuta e ndjek. Nëntë pikë diferencë mes këtyre dy skuadrave, ndërkohë që topi kalon te Partizani dhe Laçi që nesër luajnë në fushë të huaj. Teuta mori fitoren e parë në shtëpi, ndaj një Bylisi që herë pas here rrezikoi portën e Stivi Frashërit. Lorenco Vila ishte ai që zhbllokoi ndeshjen në “Niko Dovana”, kurse Renato Spahiu në të 41-ën minutë nuk shënoi i vetëm me portierin e vendasve.
Korçari u bë shpëtimtar dhe pjesa e parë u mbyll 1-0, kurse në të dytën Ildi Gruda realizoi edhe golin e qetësisë për Teutën. Vila i ri kishte mundësinë të realizonte edhe të tretin, por shtylla ia mohoi. 2-0, mjaftueshëm që durrsakët të festonin triumfin dhe marrjen e tre pikëve. Kështu, Teuta ka thyer “tabunë”, duke marrë fitoren e parë në shtëpi për këtë sezon në kampionat me fitoren ndaj ballshiotëve.
Ishte një ndeshje e dominuar totalisht nga durrsakët ajo e zhvilluar në Stadiim“Niko Dovana” të Durrësit. Lorenco Vila shënoi golin e parë për skuadrën e trajnerit shkodran, Edi Martini, në minutën e 28-të, duke rrezikuar edhe më vonë në disa raste të gjente edhe një tjetër, por, sidoqoftë, pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të vendasve.
Pjesa e dytë nis aty ku u mbyll e para, me durrsakët më kërkues, duke kërkuar me ngulm golin e dytë, të cilin e gjetën në minutën e 66-të. Ishte Ildi Gruda, i cili 5 minuta pasi ishte futur në fushë, shpërthen bukur në të majtë, për të finalizuar aksionin më pas me gol. Rezultati nuk ndryshoi më deri në fund, me Teutën që merr kështu një fitore shumë të rëndësishme dhe ngjiten në vendin e dytë me 23 pikë.