AlbanianSport.com 10/02/2019 22:35
ASNN – Teuta regjistroi barazimin e katërt radhazi dhe i fundit erdhi ndaj Kamzës në kampionat, një barazim që po sjell erëra jo të mira në kampin durrsak. Ishte një barazim që dhemb, sepse Teuta në tri ndeshjet e luajtura gjatë vitit 2019 në kampionat ka marrë vetëm 3 pikë, kurse Partizani në 3 ndeshje ka marrë 9 pikë. Me pak fjalë, “Djemtë e detit” janë në krizë.
Dhe kjo krizë duket të jetë e sulmit, përderisa mungojnë golat që Teuta shënonte në kampionat gjatë dy fazave të para. Ditën e diel, në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit bregdetar Teuta e trajnerit Bledi Shkëmbi nuk ia doli ta thyejë Kamzën e trajnerit Ernest Gjoka,. Një ndeshje e mbyllur në “paqe” me shifrat 0-0. Teuta e dominoi ndeshjen, krijoi raste, por, kur mungon goli, nuk vjen as fitorja.
Kamza mori një pikë dhe u shpreh e kënaqur, dëshmuar me pamjen e qetë e gati buzagaz të trajnerit Gjoka, kurse Teuta mori një pikë dhe doli e dëshpëruar, dëshmuar me fytyrën e vrenjtur dhe pesimiste të Shkëmbit. Në një ndeshje që s’ka gol nuk ka as emocion e as spektakël dhe e tillë ishte ndeshja e luajtur në Durrës. Ky barazim dëshmon se Teuta është në krizë.
Dhe mbetet në vend-numëro, tashmë në kuotën e 36 pikëve e në vend të tretë, 10 më pak se Partizani kryesues (para se të niste faza e tretë diferenca ishte vetëm 4 pikë (37-33).
Kategoria Superiore
Java e 21-të
Të shtunën, 9 shkurt 2019:
Partizani – Kastrioti 2-0
Të dielën, 10 shkurt 2019:
Kukësi – Tirana 0-1
Luftëtari – Flamurtari 0-0
Teuta – Kamza 0-0
Të hënën, 11 shkurt 2019:
Skënderbeu – Laçi (18:00)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Partizani 21 14 4 3 23-9 46
- Kukësi 21 11 5 5 20-11 38
- Teuta 21 9 9 3 26-15 36
- Laçi 20 8 7 5 16-15 31
- Skënderbeu 20 9 3 8 21-16 30
- Flamurtari 21 8 6 7 17-15 30
- Tirana 21 6 6 9 25-23 24
- Luftëtari 21 6 3 12 18-26 21
- Kamza 21 4 4 13 10-25 16
- Kastrioti 21 5 1 15 18-39 16