AlbanianSport.com 12/08/2021 12:55
ASNN – Durrsakët, për kualifikim ndaj Shamrok Rovers, kurbinasit, për të ruajtur dinjitetin. Është një tablo me kontraste ajo që ofron sonte mbrëmja evropiane për dy ekipet shqiptare të mbetura në turin e 3-të të Ligës së Konferencës. Ndërkohë që për Laçin, kualifikimi është një hipotezë në kufinjtë e fantazisë, për Teutën, kalimi më tej është një mundësi e prekshme. Dy skuadrat e mbetura në veprimtaritë evropiane të futbollit të klubeve, Teuta dhe Laçi, luajnë sonte ndeshjet e kthimit të turit të 3-të të Ligës së Konferencës.
Në fakt, është një tablo me kontraste ajo që ofron kjo mbrëmje evropiane për këto dy ekipe, teksa Laçi duket se ka një mision të pamundur në Belgjikë përballë Anderlehtit vendas. Kurbinasit e kanë humbur ndeshjen e parë, të luajtur në shtëpi, teksa janë mundur me shifrat 0-3 të enjten e shkuar në Stadiumin “Elbasan Arena”. Ky rezultat nuk i jep shumë shpresë ekipit të drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro në sfidën e kthimit për gjiganden belge, e cila sonte pritet të lërë pushim disa prej titullarëve të saj, për t’u dhënë më tepër minuta lojtarëve të stolit.
Ndeshja e sotme luhet duke nisur nga ora 20:00. Ndërkaq, është krejt e kundërta për Teutën, e cila e ka humbur ndeshjen e para një jave në Irlandë përballë Shamrok Rovers, teksa një gol në minutat shtesë u ka dhënë vendasve një fitore minimale. Një rezultat që sidoqoftë u jep shpresë durrsakëve për ndeshjen e kthimit, që është zhvendosur nga Stadiumi “Niko Dovana” i Durrësit dhe do të luhet në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 20:00. Ashtu sikundër e ka pranuar edhe vetë trajneri i skuadrës irlandeze, Stefën Bradli, Teuta pritet të bëjë një lojë krejt të kundërt me atë në ndeshjen e parë në Dablin.
Aty ku durrsakët dukeshin të kënaqur me një barazim pa gola. Por pësimi i atij goli në fund ia ka vështirësuar detyrën skuadrës së trajnerit Edi Martini dhe bregdetarët pritet ta nisin në sulm ndaj Shamrokut, duke kërkuar golin që do të barazonte shifrat dhe, pse jo, për ta mbyllur brenda 90 minutave kualifikimin. Me pak fjalë, ndërkohë që për Laçin, kualifikimi është një hipotezë në kufinjtë e fantazisë, për Teutën, kalimi më tej është një mundësi e prekshme.