AlbanianSport.com 10/01/2019 20:30
ASNN – Superiores i ikën golashënuesi më i mirë, i hapet rruga Shkurtajt të bëhet “Këpuca e Artë”. Vasil Shkurtaj shënoi 7 gola me Luftëtarin në pjesën e parë të sezonit duke qenë golashënuesi i dytë më i mirë pas Amadu Latifit të Teutës. Këtë merkato dimri Shkurtakj kaloi tek Kukësi dhe ka shanse të pretendojë titullin kampion e njëherësh edhe të pretendojë “Këpucën e Artë” të këtij sezoni si kryegolashënuesi i Superligës.
Ky objektiv mund të bëhet prioritet i realizueshëm dhe madje me pak konkurrencë, pasi golashënusi më i mirë i kampionatit deri në këto momente, Amadu Latif i Teutës, duket se po shkëputet nga durrsakët dhe po kalon në kampionatin bjellorus me Shahtjorin e Soligorskut, skuadër ku aktivizohet edhe futbollisti shqiptar Elis Bakaj. Latifi ka realizuar 9 gola në dy fazat e para të kampionatit dhe, duke pasur parasysh se në disa ndeshje nuk ka luajtur, ka një koeficient më të mirë se 0.5 gola për ndeshje.
Një koeficient ky i pranueshëm realizimi për kushtet e kampionatit shqiptar. Këtë shifër pritet ta thyejnë të paktën dy futbollistë, që të dy pjesë e Kukësit, pra Vasil Shkurtaj, si dhe mozambikasi Rexhinaldo. Për Teutën, largimi i Latifit hap probleme, pasi ai ka shënuar gola me peshë dhe sulmit durrsak i humb një lojtar me potencial të mirë, ndërkohë që trajneri i “Djemve të detit”, Bledi Shkëmbi, do të duhet të përshtasë skemën e tij taktike me elementët e tjerë.
Nuk dihet situata e sulmuesit tjetër të skuadrës së tij, Gerhard Prognit, por në skenë është shfaqur javët e fundit një lojtari i ri i talentuar, Sherif Kallaku. Situata në vazhdimësi e Teutës pritet të ndiqet me interes, pasi kjo skuadër ka pritshmëri të rivalizojë për titullin.