AlbanianSport.com 01/03/2021 18:40
ASNN – Policia e Katalonjës ka mësyrë në mëngjesin e të hënës në zyrat e klubit të Barcelonës, si pjesë e hetimit të “Barçagejt”. Drejtuesit e klubit katalanas po hetohen për korrupsion. Ky është kontrolli i 5-të i kryer deri tani në zyrat e klubit të Barcelonës. Sipas gjyqtares së çështjes, policia ende po mbledh informacione dhe pritet të ketë arrestime. Një tërmet i vërtetë tek Barcelona. Ish-presidenti i Barcelonës, Josep María Bartomeu, është arrestuar nga policia e Katalonjës, i akuzuar për korrupsion, në lidhje me “Barçagejt”.
Së bashku me ish-presidentin e skuadrës katalanase, në polici janë shoqëruar edhe dy drejtorë të tjerë, Óskar Grau, Drejtor i Përgjithshëm, dhe Román Gómez Ponti, drejtor i shërbimeve ligjore si dhe Haume Masferrer, këshilltar i ish-presidentit. Bartomeu është arrestuar në shtëpinë e tij. Policia e Katalonjës ka hyrë në zyrat e Barçës këtë të hënë në mëngjes për të kryer kontrollin e radhës, në kuadër të hetimit “Barçagejt”. Bordi drejtues i Barcelonës, i kryesuar nga Bartomeu, është nën hetim, pasi aty janë gjetur llogari të dyshimta.
Llogari dhe pagesa të cilat mund të jenë bërë për prishur imazhin e ish-drejtuesve, ish-lojtarëve dhe lojtarëve aktualë të ekipit të parë të Barçës. Janë dy linja nën hetim: administrimi i padrejtë dhe korrupsioni midis individëve. Më 16 shkurt 2021, gjykatësja hetuese e çështjes, kishte vendosur që procedurat paraprake duhet të vazhdonin të kryheshin në fshehtësi, për të shmangur dëmtimin e linjave të mundshme të hetimit. Në shtator të vitit 2020, gjykata kishte arritur në përfundimin se kishte “prova të korrupsionit” në këtë çështje.
Barça e ndau pagesën për “i3 Ventures” në fatura të manipuluara prej më pak se 200,000 euro për të anashkaluar kontrollet e transparencës në klub. Barcelona kontraktoi madje një auditim, i cili e përjashtoi faktin që klubi kishte urdhëruar krijimin e llogarive të dyshuara. Në atë kohë u pushua nga puna drejtuesja e bordit të Barçës dhe 6 anëtarë të tij. Policia vendase kishte shkuar në “Camp Nou” në korrik 2020 për të mbledhur informacione në lidhje me çështjen. Ajo kërkoi dokumentacion mbi kontratat me “i3 Ventures”, faturat e paguara e çdo gjë tjetër mbi personat me të cilët punon klubi.