Gjergj Vyshka 14.01.2015 09:00
Vangjel Mile, që nga dita e djeshme, është bërë pjesë e Tërbunit të Pukës, ndërsa sipas faqes në Facebook të skuadrës pukjane drejtuesit janë pranë akordit me të. Në karrierën e tij futbollistike, e cila ka nisur në sezonin 2004-2005 si profesionist, Mile ka luajtur në disa skuadra. Ai është i datëlindjes 1 korrik 1986 dhe roli i tij është sulmues. Në sezonin 2004-2005 ai ka qenë pjesë e Dinamos me të cilën ka luajtur 8 ndeshje dhe ka shënuar një gol.
Më pas do të zhvendosej tek norvegjezët e Kongsvingerit për t’u rikthyer përsëri tek Dinamo në sezonin 2006-2007 atje ku ka luajtur 23 ndeshje dhe ka shënuar katër gola. Që nga 2007-ta e deri në 2010 është pjesë e Teutës me të cilën luan 72 ndeshje dhe shënon 12 gola. I huazuar nga Teuta tek Besa në dy sezone me kavajasit ka luajtur vetëm dy ndeshje. Ka qenë pjesë e Laçit në sezonin 2010-2011 teksa në 30 ndeshje ka shënuar 5 gola.
Ai ka edhe pjesë e Tomorit dhe Bylisit, pa harruar këtu dhe aktivizimin me finlandezët e PK’35 Vantaa. Tashmë ai është bërë gati që t’i bashkohet Tërbunin, ndërsa nëse firmos e çon në katër numrin e të ardhurve tek Tërbuni pas Erkoçeviç, Karakaçi dhe Bejtes. Për gjithçka që po ndodh tek Tërbuni, administratori i skuadrës Grand Frroku do të deklaronte: “Jam i bindur se Tërbuni do të jetë më i fortë se vitin e shkuar.”
“Ndërkohë ekipi do të nisë stërvitjen, ku bashkë me trajnerin Plori do të vijnë edhe dy lojtarë nga Franca, që i kam vëzhguar gjatë kësaj periudhe. Bashkë me drejtuesit e klubit po shohim mundësinë e zhvillimit të një faze përgatitore jashtë vendit. Besoj se ne do të ecim drejt rrugës së Kategorisë Superiore”, – ka përfunduar administratori i skuadrës së Tërbunit, Grand Frroku.