AlbanianSport.com 03.02.2016 17:05
Tërbuni ka mbyllur të hënën në darkë merkaton dimërore, ndërsa ardhja e sulmuesit serb Ivan Jovanoviç, e më pas e Adeshina Rasak, Uilker Pereira, por dhe e Sadush Danajt e ka bërë më të qartë ecurinë e skuadrës së trajnerit Viktor Gjoni. Gjatë kësaj jave, trajneri Gjoni do të bëjë edhe një përzgjedhje më të mirë të formacionit, i cili do të jetë përballë Bylisit në Ballsh. Tërbuni është një skuadër e re pas merkatos dimërore dhe objektivi është qëndrimi në Kategorinë Superiore.
E nëse nuk do të gabojë në asnjë ndeshje, atëherë shpresat për qëndrim janë më të mëdha. Tashmë është një skuadër e kompletuar dhe me financa të shëndosha. Ndaj Tërbunit nuk i lejohet më të gabojë. Ndërkohë Ivan Jovanoviç, 1.90 metra i gjatë, 24 vjeç dhe i aktivizuar në disa skuadra të Serbisë duket se do t’i japi më shumë siguri skuadrës në sulm. Madje do të jetë një alternativë, ndërsa trajneri Gjoni do të deklaronte: “Unë them se ky lojtar ia vlen”.
“Megjithatë do ta shohim gjatë javës dhe shpresojmë që deri të shtunën të ambientohet me skuadrën”, – ka shtuar ai. Në prag të ndeshje me Bylisin, skuadra është duke u stërvitur me dy seanca, kurse Gjoni do të pohonte: “Unë i kam kërkuar skuadrës përqendrim maksimal dhe përgjegjshmëri më të madhe në fushë dhe në stërvitje. Kemi analizuar ndeshjen me Tiranën, madje në detaje. Nuk kemi më kohë për të gabuar e duke nisur që nga ndeshja me Bylisin duhet të marrim rezultatin pozitiv.”