AlbanianSport.com 21.08.2015 11:15
ASNN – Lojtarët e Tërbunit kanë marrë mbështetjen maksimale nga administratori Grand Frroku, ndërsa në bashkëpunim dhe Bashkinë e Pukës janë nënshkruar të gjitha kontratat për futbollistët. E të gjithë lojtarët, të cilët kanë pranuar të veshin fanellën e Tërbunit për sezonin 2015-2016, kanë marrë dhe këstin e parë të kontratës, si dhe rrogat mujore.
Në prag të ndeshjes me Tiranën, në kampin e Tërbunit të gjithë janë optimistë, ndërsa do të kërkojnë të marrin një rezultat pozitiv, i cili do të shërbejë për startin e ecurisë pozitive të skuadrës këtë sezon. Gjatë takimit me futbollistët, administratori Frroku do të deklaronte: “Jam optimist për ekipin që kemi krijuar, ndërsa kemi afruar lojtarë që e njohin Kategorinë Superiore”, – ka thënë ai.
“Unë kam besim tek trajneri Samuel Nikaj, i cili së bashku me ndihmësit e tij ka bërë një punë shumë të mirë gjatë periudhës përgatitore, – ka vijuar Frroku. – Dhe ne jemi të bindur se do ta nisim mbarë kampionatit. Financat janë të garantuara, sepse tashmë kemi dhe mbështetjen e kryebashkiakut Gjoni. Sa i përket stadiumit mendoj drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, do ta japin miratimin e tyre për të luajtur këtu.”
“Të jeni të bindur se drejtuesve të Tiranës u intereson të luajnë në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet, – ka vijuar administratori i klubit të Tërbunit, Grand Frroku. -Më duhet të kujtoj se përpara disa vitesh Tirana ka bërë dhe periudhën përgatitore në Pukë, ndërsa ka mbetur e kënaqur. Ne besojmë se do të gjejmë mirëkuptimin dhe do të luajmë në Pukë.”