AlbanianSport.com 07.09.2016 21:15
ASNN – Tek Tërbuni janë afruar disa lojtarë, por ka pasur dhe largime. Edhe pse ishte parashikuar që skuadra pukjane të qëndronte 10 ditë në Pukë për t’u përgatitur për kampionat, ajo ka qëndruar vetëm dy. Dhe me kërkesë të zëvendëskryetarit të Bashkisë së Pukës, Artan Zaja, ka ikur në Tiranë. Trajneri Gjoni është pak i shqetësuar për situatën, sepse disa lojtarë që erdhën nga ekipe me emër nuk u preferuan nga drejtuesit.
Për momentin tek Tërbuni është afruar Enis Ibraj, që ka ardhur nga Akademia e Vllaznisë e që sezonin e kaluar ka luajtur me Besëlidhjen. Po kështu ka ardhur dhe Nikolin Kola, i cili ka dalë nga Akademia e Vllaznisë dhe ka luajtur në Serinë B. Dhe i fundit është Elis Kabuni, kurse me Çutrën ende nuk është e sigurt situata. Po kështu kanë ardhur dhe dy portierë, Myrtja dhe Hasani. E lojtarët që do të zgjidhen nga trajneri do të firmosin kontratat me pukjanët.
Ndërsa Tërbuni ka nevojë për një merkato të fuqishme që të jetë në rrugën e duhur. Për “Sport Ekspres” ka folur Enis Ibraj, që ka deklaruar: “Jam i kënaqur që jam bërë pjesë e Tërbunit. Kam një përvojë në Kategorinë Superiore dhe me këtë skuadër synojmë që të ngjitemi në të Parën. Kemi nevojë ende për përforcime, mendoj se do të japim më të mirën, ndërsa e vlerësoj maksimalisht fanellën e Tërbunit. Tek kjo skuadër kam gjetur dhe dy mbrojtës të eksperiencës si Sulollari dhe Beci e shpresoj që të jemi skuadra më e mirë e Veriut.”