Gjergj Vyshka 06.03.2015 11:15
Në Pukë, barazimin me Mamurrasin e kanë quajtur humbje, ndonëse Tërbuni është aktualisht në vendin e parë në renditjen e grupit të Veriut. Aktualisht pas javës së 17-të të Kategorisë së Parë, Tërbuni është në vend të parë me 43 pikë, Mamurrasi në të dytin me 42 pikë dhe Besëlidhja në të tretin me 41 pikë. Parë kështu, teksa për rreth 50 minuta Tërbuni ka luajtur me një lojtar më shumë se sa Mamurrasi, barazimi është cilësuar.
Për Senad Lekajn, barazimi ka qenë zhgënjyes përballë Mamurrasit. “Ne duhet të pranojmë çdo gjë, pavarsisht se nuk dëshirojmë t’i pranojmë dështimet, – ka deklaruar ai. – Duhet ta kuptojmë se ato vijnë gjithmonë në momentet më të mira, sepse fitore pa humbje nuk ka. Barazimi me Mamurrasin na ka zhgënjyer, ndërsa në pjesën e parë i kishim të gjitha mundësitë për ta mbyllur ndeshjen 3-0. Futbolli ky është e po kështu është dhe jeta.”
“Tani gëzohesh, më pas hidhërohesh. Ashtu sikurse ne arritëm t’i mundnim në fazën e parë, ashtu na morën barazimin në fazën e dytë në fushën tonë. Falënderoj tifozët për mbështetjen, ndërsa do ta mbajmë vendin e parë deri në fund të kampionatit”, – ka shtuar Lekaj. Ndërkohë për Karakaçin ngushëllimi është fakti që Tërbuni është përsëri në vendin e parë. “Me shumë besim them se në përfundim të këtij kampionati ne do të jemi të parët” ”, – ka thënë ai.
“Dhe besoj se puna jonë do të kurorëzohet me fitimin e titullit kampion dhe daljen në Kategorinë Superiore”, – ka shtuar Karakaçi. Sakaq për Markun, diferencat janë të dukshme mes Tërbunit dhe Mamurrasit. “E vërteta është se barazimi atyre u duket si fitore, kurse neve na duket si humbje, – ka thënë ai. – E rëndësishme është që ne jemi në vendin e parë dhe atë nuk do ta lëshojmë deri në fund.” Tashmë Tërbuni ka nisur përgatitjet për ndeshjen me Kastriotin në Krujë.