AlbanianSport.com 09.09.2016 07:00
ASNN – Tërbuni është duke vijuar përgatitjet intensive në “Skënder Halili” të Tiranës, ndërsa në skuadrën e trajnerit Gjoni vijojnë të vijnë përditë lojtarë. Në stërvitjen e djeshme në Tiranë ka qenë i pranishëm dhe nënkryetari i Bashkisë së Pukës, Artan Zaja, i cili është shprehur optimist se Tërbuni përsëri do të jetë një skuadër pretendente. Dhe për ta bërë të tillë do të ketë dhe afrime të tjera.
Sakaq në stafin teknik të trajnerit Gjoni, përveç përgatitësit të portierëve Ismail Çira, pritet të vijë dhe një ndihmëstrajner për të plotësuar kështu stafin drejtues të skuadrës. Dhe Zaja ka treguar se në këtë sezon të ri nuk duhet menduar për mbijetesë, por për një avancim të ekipit më tej. Ai ka deklaruar se federimet e lojtarëve janë shtyrë deri më 12 shtator nga FSHF-ja për arsye të vonesës së formimit të ekipeve.
“Ne jemi duke punuar së bashku me trajnerët që të kemi sa më shumë lojtarë, – ka thënë nënkryebashkiaku. – E këta si nga Kategoria Superiore, ashtu dhe të huaj, sepse skuadra ka shumë nevojë për përforcime në çdo repart. Ne duhet t’i studiojmë sa më mirë lojtarët në stërvitje në mënyrë që skuadra të jetë sa më e formuar dhe e saktë për kampionatin.”
Zaja ka folur dhe për financat, ndërsa sipas tij skuadrës nuk do t’i mungojë asgjë. “Në këto momente jemi duke biseduar me dy biznesmenë, të cilët mendohet të japin kontributin e tyre për Tërbunin. Unë garantoj që nuk do të ketë zhgënjim, por një skuadër konkurruese”, – ka përfunduar nënkryetari i Bashkisë së Pukës, Artan Zaja, duke folur për skuadrën e Tërbunit.