Gjergj Vyshka 14.02.2015 07:15
Mbrojtësi pukjan Marko Dodaj, pas dy vjetësh kontribut për skuadrën e Tërbunit, tashmë ka vendosur që të largohet nga ky ekip. Për rrjedhojë stafi i faqes në “Facebook” të klubit të futbollit Tërbuni, por dhe ultrasit “Shqiponjat e Veriut”, jo vetëm që e kanë falënderuar për atë Dodaj ka dhënë për skuadrën, por dhe i kanë uruar suksese më tej.
Madje të gjithë janë të bindur se këtij lojtari asnjëherë nuk iu dha mundësi për të shprehur vlerat e tij më të mira në këtë ekip. “Ne i japim me keqardhje lamtumirën, por jemi të bindur që një ditë do të kthehet”, – kanë thënë tifozët për Dodajn. Ndërkohë ndeshja Tërbuni-Burreli do të jetë pa tifozë. Mirëpo ultrasit “Shqiponjat e Veriut” kanë deklaruar që nuk do të mungojnë dhe nuk do ta lënë skuadrën vetëm.
Ata do të mblidhen sot në ora 11:00 para stadiumit dhe aty do të diskutojnë për organizimin dhe bazën materiale që do të përdorin gjatë ndeshjes. “Nuk duhet të mungojë askush që të vazhdojmë rrugën drejt Kategorinë Superiore, sepse çunat kanë nevojë për ne”, – kanë thënë tifozët, që nga jashtë stadiumit pritet të mbështesin Tërbunin.