Gjergj Vyshka 11.02.2015 09:15
Barazimi në Lezhë ndaj Besëlidhjes vendëse ka dhënë një tjetër rritje të optimizmit në skuadrën e drejtuar nga Elvis Plori, e cila kërkon që për herë të parë në historinë e futbollit pukjan të jetë në Kategorinë Superiore. Me llogaritë që kanë bërë pukjanët nëse deri në fund të fazës së dytë ato do të jenë në vendin e parë, atëherë i bie që Tërbuni të presë në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës, jo vetëm Mamurrasin, por dhe Besëlidhjen.
Megjithatë kapiteni i pukjanëve, Arbër Mone, ka deklaruar se Tërbuni ka ende rrugë të gjatë për të bërë në ngjitjen e saj në Kategorinë Superiore. “Na duhet të themi që ende nuk e kemi përfunduar misionin tonë, sepse ka rrugë të gjatë deri në realizimin e ëndrrës për t’u ngjitur në Superiore, – ka thënë ai. – Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi kemi edhe 14 finale për të luajtur, ndërsa duhet të japim maksimumin në çdo ndeshje.”
“Të paktën të bëjmë atë që kemi bërë deri më tani, sepse besoj dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur në Superiore. Kemi tre sezone që jemi pretendent për t’u ngjitur në elitën e futbollit shqiptar dhe mendoj se ky është viti ynë”, – ka përfunduar mbrojtësi fierak i Tërbunit, Arbër Mone, i cili edhe pse pati oferta për të lëvizur në tregun e futbollistëve në dimër ka preferuar të mbetet pjesë e skuadrës së drejtuar nga shkodrani i suksesshëm Elvis Plori.