AlbanianSport.com 13.01.2016 11:15
ASNN – 22-vjeçari nga Gjilani nuk do të jetë i vetmi i afruar te pukjanët, pasi së shpejti, skuadrës së Gjonit do t’i bashkohet edhe një futbollist maqedonas. Tërbuni nuk mbetet pas në merkato. Pukjanët kanë bërë të mundur dje, afrimin e mesfushorit kosovar, Dritan Osmani. 22-vjeçari nga Gjilani pritet të hedhë firmën me klubin e Tërbunit dhe të vendoset në urdhrat e trajnerit Gjoni. Osmani nuk do të jetë lojtari i vetëm që do të vijë te Tërbuni.
Nga ajo që mësohet, përveç mesfushorit kosovar, pritet që në ditët në vijim të mbërrijë në skuadër edhe një lojtar maqedonas. Nuk bëhet ende i ditur identiteti i tij. Kjo për faktin se drejtuesit e klubit të Tërbunit janë ende në tratativa e sipër. Ndërkohë, trajneri Gjoni shprehet se skuadra po vijon me ritëm të lartë stërvitjen intensive. “Ka shumë lojtarë që po afrohen në ekip, – ka thënë ai. – Për momentin nuk mund të them emra konkretë, sepse nuk ka ende asgjë zyrtare.”
“ Është e nevojshme të afrohen sa më shumë lojtarë për të shtuar konkurrencën e tyre. Detyra ime si trajner është që të bëj punën time që ky ekip të qëndrojë në Superiore. Pavarësisht konkurrencës së madhe që do të kemi në këtë synim, do të bëjmë të pamundurën deri në fund për t’ia arritur me sukses qëllimit tonë. Gjatë kësaj jave jemi duke u përgatitur për fazën e dytë të kampionat. Kam menduar për të zhvilluar edhe ndeshje miqësore në të mirë të ekipit dhe për të parë aftësitë e çdo lojtari që i kam në dispozicion”, – përfundoi trajneri Gjoni.