Gjergj Vyshka 10.01.2015 09:15
Tërbuni i Elvis Plorit duket se nuk është mjaftuar me tre blerjet në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në dimër. Siç dihet kanë mbërritur Bekim Erkoçeviç, Abaz Karakaçi dhe Ibrahim Bejte. Madje ky i fundit, të paktën edhe sipas faqes në “Facebook”, KF Tërbuni, ka fituar dhe vendin e titullarit, sepse portieri malazez Enis Gjokoviç është larguar për një tjetër skuadër.
Dhe tifozët pukjanë, nëpërmjet faqes së “Facebook”-ut të Tërbunit, e kanë falënderuar Gjokoviçin për gjithçka që ka dhënë për fanellën e skuadrës kryesuese të grupit të Veriut në Kategorinë e Parë. Madje ata shpresojnë që të jetë pjesë e skuadrës në të ardhmen. Ndërkohë Tërbuni po kërkon sulmuesin e Butrintit, Arbër Dhrami, që duket se nuk ka gjetur hapësirat e duhura në skuadrën sarandjote.
Që do të ishte një afrim cilësor për skuadrën e Plorit në kushte kur Faku Agastra mbetet në dyshim për të luajtur në pjesën e dytë të sezonit me kryesuesit e grupit të Veriut. Sepse sipas të gjitha gjasave ai do të shikojë ndonjë ofertë tjetër. I vetmi i sigurt për Tërbunin është Bedi Greca, i cili tashmë ka vendosur të qëndrojë, ndërsa është shprehur i lumtur dhe shpreson që të kontribuojë në ngjitjen e skuadrës në Superiore.
Në të tilla kushte, Tërbuni duket se është në lëvizje e sipër, kurse skuadra e trajnerit Elvis Plori duket përsëri në riformatim