AlbanianSport.com 23.12.2014 07:55
ASNN – Në Pukë, jo vetëm sepse është fundviti, por dhe sepse Tërbuni është “kampion i dimrit”, vazhdojnë ende të festojnë. Dhe duke bërë një bilanc për pjesën e parë të kampionatit, atje ku Tërbuni në 12 ndeshje grumbulloi 32 pikë, të cilat kanë ardhur nga dhjetë fitore dhe dy barazime, atëherë të gjithë janë krenar me këtë skuadër. Në mënyrë të veçantë tifozët, por dhe ultrasit “Shqiponjat e Veriut”, të cilët e kanë ndjekur skuadrën kudo që ajo ka luajtur.
Dhe e premtojnë se një gjë të tillë do ta bëjnë dhe në pjesën e dytë të kampionatit. Ndaj dhe duke qenë fundi i vitit, ata kanë nisur falënderimet në masë. “Falënderojmë presidencën për skuadrën që ka krijuar, sepse është një super-ekip, i cili po na bën për herë të parë të ëndërrojmë ngjitjen në Kategorinë Superiore”, – kanë deklaruar ata nëpër rrjetet sociale.
“Jo vetëm kaq, falënderojmë trajnerin Elvis Plori për punën e shkëlqyer që bën me skuadrën duke e futur në histori skuadrën tonë, e cila tashmë është me një këmbë në Kategorinë Superiore, – kanë vijuar ata. – Për më tepër falënderojmë lojtarët, të cilët në të 12 ndeshjet kanë dhënë maksimumin e tyre. Por mbi të gjitha falënderojmë sportdashësit, të cilët kanë qenë të shumtë në shkallët e stadiumit, në mënyrë të veçantë ultrasit “Shqiponjat e Veriut”, që nuk i janë ndarë për asnjë çast skuadrës.”
“E të gjithë bashkë do të arrijmë atë që nuk e kemi asnjëherë, ngjitjen e Tërbunit në Superiore”, – kanë përfunduar tifozët pukjanë.