Gjergj Vyshka 25.01.2015 09:35
Matko Djarmati, kroati që erdhi në tregun e lëvizjeve të futbollistëve në verë tek Tërbuni, është vlerësuar nga pukjanët jo vetëm për profesionalizmin e tij, por dhe për atë që ka bërë dje përpara stërvitjes. Në një luftë nervash me Muratin e Adës, në mesin e fushës, teksa janë shtyrë e goditur me njëri-tjetrin, Djarmati është ndëshkuar me karton të kuq.
Dhe duke qenë një lojtar kyç për formacionin e Elvis Plorit, atëherë kroati, që në një të ardhme mendon të vazhdojë dhe karrierën si trajner në Shqipëri, ka kërkuar ndjesë përpara ekipit. I ka kërkuar ndjesë trajnerit Plori, presidencës, shokëve të ekipit dhe tifozëve.
Dhe për këtë akt, ultrasit “Shqiponjat e Veriut” kanë deklaruar: “Bravo Matko, je shembulli më i mirë për të gjithë. Të presim sa më shpejt në fushën e lojës, sepse na duhesh”. Ndërkohë Djarmati do të jetë mungesë e sigurt në ndeshjen e së shtunës së ardhshme ndaj Kastriotit në Pukë.