AlbanianSport.com 20.04.2016 12:05
ASNN – Trajneri: “Fitorja me Skënderbeun na ka dhënë moral të lartë. Këtë duhet ta demonstrojmë dhe ndaj Teutës dhe në tre sfidat që kemi në shtëpi të marrim nëntë pikë të plota.” Tërbuni është duke u stërvitur me intensitet të lartë, sidomos pas fitores me Skënderbeun, e cila i ka dhënë një moral ndryshe ekipit të trajnerit Viktor Gjoni. Ajo që duhet pranuar është fakti se pukjanët kanë qenë dominues në 90 minutat e lojës me korçarët duke e vënë disa herë në pozitë të vështirë kundërshtarin.
“Ne e kemi lënë pas shpine këtë ndeshje, – thotë Gjoni, – dhe jemi duke u përgatitur për sfidën e radhës me Teutën në Pukë. E duke qenë se do të luajmë në Stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukë, përpara sportdashësve tanë të mrekullueshëm, atëherë duhet të marrim pikët tona të plota. E kjo si për moral dhe për të vazhduar luftën për mbijetesë, por dhe për të kënaqur tifozët tanë të zjarrtë. Në këtë përballje do të kërkojmë fitoren, sepse mendoj që kështu i afrojmë tifozët.”
“Pas suksesit tonë me Skënderbeun, ata duhet të jenë të shumtë në këtë përballje me durrsakët, – ka vijuar trajneri i pukjanëve. – Kjo është një ndeshje finale për ne dhe deri në fund kemi për të luajtur gjashtë ndeshje, të cilat janë sfida mbijetese për ne. Ne duhet të luajmë si përballë Skënderbeut, të fitojmë dhe të shpresojmë më pas për ndonjë hap fals të rivalëve tanë. Çdo gjë që bëjmë duhet ta demonstrojmë në fushën e lojës, sepse duhet të jemi ne që do ta vëmë në vështirësi kundërshtari.”
“Ndeshja me Teutën vlen shumë për ne, sepse fitorja me Skënderbeun na ka ngjallur shpresat, – ka theksuar kreu i stolit të Tërbunit. – Që do të thotë se në tre takimet që kemi në shtëpi duhet të marrim nëntë pikë me tre fitore. Do të zbresim në fushën e lojës për fitore dhe duhet të gabojmë sa më pak në takimet e mbetura deri në fund.”