AlbanianSport.com 09.03.2016 10:20
ASNN – Tërbuni-Vllaznia, e cila do të zhvillohet sot në Stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës, konsiderohet si një derbi i prefekturës së Shkodrës. Dhe si një ndeshje mes dy skuadrave që luftojnë për mbijetesë në Kategorinë Superiore kjo e sotmja pritet me shumë interes nga tifozeritë e të dy ekipeve. Në Pukë, Vllaznia është e mirëpritur, ndërsa të dy tifozeritë, të cilëve u është kërkuar që të jenë korrekte, do të jenë në numër të barabartë.
Për t’u theksuar është fakti se Vllaznia gjysmën e parë të kampionati e ka luajtur në Pukë dhe është mbështetur nga pukjanët. Parë kështu, Vllaznia duket sikur është në shtëpinë e vet dhe fitorja është i vetmi rezultat që kërkohet nga të dy ekipet. Ndaj dhe tifozëve u është thënë që gjithçka t’ia lënë fushës dhe të fitojë më i miri. Trajneri Gjoni ka kërkuar përqendrim maksimal nga skuadra, kurse është kthyer pranë ekipit Abaz Karakaçi, i cili ka paguar gjobën prej 100.000 lekësh nga xhepi i tij.
Tërbuni gjatë këtyre ditëve është stërvitur me moral të lartë nisur dhe nga dy barazimet që ka marrë përballë Partizanit dhe Flamurtarit. Alush Gavazaj për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres” do të deklaronte: “Kërkoj nga të gjithë një mobilizim dhe të japim maksimumin për të arritur tek suksesi. Ndeshja me Vllazninë është paksa e vështirë, pasi jemi dy skuadra që kërkojmë pikët dhe mbijetesën në Kategorinë Superiore.”
“Ne duhet të futemi në fushë për të fituar dhe të jemi të kujdesshëm në veprimet tona duke zbatuar me përpikëri udhëzimet e trajnerit Gjoni. Nëse bëjmë kështu, atëherë do të fitojmë, ndërsa jemi të përgatitur për këtë sfidë. Le t’ia lëmë fjalën fushës dhe le të fitojë më i miri”, – ka përfunduar futbollisti i Tërbunit, Alush Gavazaj.