Gjergj Vyshka 28.01.2015 21:55
Por duket se surprizat e pukjanëve një javë përpara fillimit të pjesës së dytë të sezonit të Kategorisë së Parë nuk duket se kanë të mbaruar për Tërbunin. Sipas njoftimit në faqen e “Facebook”-ut të KF Tërbunit, braziliani i Mamurrasit, Kartezian Ferreira Fonseka është shumë pranë firmës me pukjanët.
Fonseka në pjesën e parë të sezonit ka shënuar nëntë gola për Mamurrasin duke qenë golashënuesi më i mirë i skuadrës së Stavri Nicës. Sigurisht që një largim i tij nga Mamurrasi dhe përforcimi i rivales së drejtpërdrejtë për ngjitjen në Superiore, Tërbuni, nuk është në të mirë të skuadrës së Nicës.
Megjithatë pukjanët, edhe pse Fonseka është vetëm 35 vjeç, e konsiderojnë shumë pranë tyre. Dhe një dyshe në sulm Memelli-Fonseka duket se e bën të papërmbajtshëm Tërbunin, pa thënë që sërish të frikshëm për kundërshtarin. Dhe kjo do të duket në supersfidën e 7 shkurtit me Besëlidhjen në Lezhë.