Gjergj Vyshka 18.12.2014 09:45
Si Kamza, ashtu dhe Tërbuni, thuajse kanë luajtur me të njëjtën vendosje taktike 4-1-4-1. Tërbuni e ka nisur vrullshëm ndeshjen, ndërsa në minutën e 2-të, Sejdinaj e ka shmangur golin që mund të vinte nga gjuajtja e Agastrës, në një distancë prej rreth 20 metrash. Kamza kundërpërgjigjet shpejt dhe në të 4-n Xhemalaj ka vënë në pozicion shënimi Bllokun, që ka gjuajtur fort, por Gjokoviç grushton. Rasti më ideal për kalimin e Kamzës në epërsi është në minutën e 8-të, atëherë kur Maho ka fituar 11-metërshin, që pukjanët e kanë kundërshtuar në masë tek gjyqtari Breshanaj.
Por vendimi i tij është i pakthyeshëm. Dhe në minutën e 10-të, nga pika e bardhë e 11-metërshit ka gjuajtur Blloku, por Gjokoviç, një nga pikat më të forta të Tërbunit, ka kuptuar krahun dhe me majat e gishtërinjve e ka devijuar topin në goditje këndi. Këtu Kamza “fiket”. Tërbuni pasi ka ulur ritmin, ndërsa për rreth 20 minuta loja luhet në mesfushë, gatuan golin e parë. Paralajmërimi ka ardhur në të 29-n minutë, atëherë kur gardiani i portës vendase, Sejdinaj, ka qenë më i shpejtë në dalje dhe ia ka hequr topin nga këmbët Grecës.
Mirëpo nuk ka mundur të bëjë dot të gjë në minutën e 36-të. Gabimi që në mesfushë i Olatunjit dhe më pas dhe i Mahos në mbrojtje i ka kushtuar Kamzës pësimin e golit të parë, që ka firmën e Rroçës. Madje në të 40-tën, Tërbuni është i pafat, teksa mund të shënonte golin e dytë, por goditja e Çutrës është penguar në shtyllën e djathtë pingule të portës vendëse. Provon Nino të barazojë shifrat në fundin e pjesës së parë, por Gjokoviç e mban të pastër rrjetën e tij. Dhe sapo ka nisur pjesa e dytë, Tërbuni gjen golin e dytë dhe të sigurisë së fitores.
Në minutën e 47-të, në një kundërsulm të shpejtë, Agastra e ka detyruar Sejdinin që të gabojë në pritjen e topit dhe Greca në portën e boshatisur nuk e ka pasur të vështirë për të shënuar. Në të 50-tën, Olatunjit i është anuluar goli që mund të hapte ndeshje për pozicion jashtë loje dhe vendësit kanë sulmuar anësorin Bregasi. Rrjedhoja e kësaj proteste është kartoni i verdhë për Mahon. Mirëpo Tërbuni mund të kishte shënuar dhe golin e tretë, ndërsa në minutën e 59-të ka fituar të drejtën e një 11-metërshi, sepse Nino ka penguar brenda zonës së rreptësisë Agastrën.
Çuditërisht, vetë ky i fundit, shënuesi më i mirë i sezonit të kaluar, ka gjuajtur jashtë. Deri në përfundim të ndeshjes ka një tentativë të Ketës për të shënuar, por dhe një mosmarrëveshje mes gjyqtarit Breshanaj dhe anësorit Shaba, sepse kryesori ka drejtuar dorën për tek pika e bardhë e 11-metërshit, kurse anësori ka dhënë pozicion jashtë loje. E në fuqi mbeti vendimi i gjyqtarit anësor. Megjithatë Tërbuni e ka merituar fitoren, kurse në fakt Kamza ka shfaqur probleme veçanërisht në mbrojtje, e cila në qendër ka qenë e sajuar me Mahon dhe Tafajn.
Pa thënë që dy pikat më të forta të vendësve, Udoh dhe Olatunji kanë qenë në një ditë të errët. E po kështu dhe Blloku, që vazhdon të jetë larg portës kundërshtare. Përfundimisht 2-0 për Tërbunin.
Kamza – Tërbuni 0-2
Shënues: Rroça 36’, Greca 47’
Kamza: Sejdinaj, Nino, Zuna (Lame 57’), Olatunji, Tafaj, Udoh, Maho, Gjonaj (Keta 66’), Blloku (Hametaj 54’), Koleci, Xhemalaj. Trajner: Y. Zani.
Tërbuni: Gjokoviç, Lekaj, Greca (Djarmati 60’), Rroça, Lila, Kepi, Mone, Çutra, Tafa, Agastra (Kulli 66’), Mziu (Kaludjeroviç 86’). Trajner: E. Plori
Gjyqtarë: B. Breshanaj, N. Bregasi, R. Shaba (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Nino, Zuna, Maho, Xhemalaj / Greca