AlbanianSport.com 16.05.2015 19:55
ASNN – Tërbuni dhe Bylisi janë ekipet që do të luajnë sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Fitoret përkatësisht ndaj Besëlidhjes dhe Lushnjës sot në javën e parafundit, kanë bërë që të dyja skuadrat të sigurojnë matematikisht ngjitjen. Tërbuni, i cili është debutues në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar, ka triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Besëlidhjes, në takimin e luajtur në Stadiumin “Ismail Xhemali” në Pukë.
Skuadra e trajnerit Elvis Plori nuk ka pësuar asnjë humbje në këto 27 javë të këtij edicioni të Kategorisë së Parë. Ndërkaq, Bylisi është rikthyer në Superiore, duke mundur Lushnjën në fushën e saj, me rezultatin 1-0. Një sukses i rëndësishëm pasi mallakastriotët kapërcyen një 11-metërsh të dhënë kundër tyre dhe luajtën për shumë minuta me 10 futbollistë për shkak të një kartoni të kuq. Kështu pra, ka patur festë sot, sidomos në Pukë.
Tërbuni arrin të rikthehet në elitën e futbollit shqiptar dhe të besuarit e Elvis Plorit tashmë janë zyrtarisht në Superiore, pas një sezoni fantastik në Kategorine e Parë, duke e mbyllur të parët në renditje në Grupin A, apo grupin e Veriut, në kuotën e 69 pikëve. Në ndeshjen e sotme ndaj Besëlidhjes, pukjanët nuk e kanë diskutuar për asnjë moment fitoren dhe kanë fituar në fund me rezultatin e pastër 2-0 falë golave të shënuar nga Lekaj dhe Marku, në secilën pjesë.
Një triumf i madh për qytetarët e Pukës që tashmë do ta shohin e ekipin e tyre mes skuadrave elitare në futbollin shqiptar. Tërbuni nis kështu festën që do të ndezë qytetin verior për këtë rikthim historik në elitën e futbollit shqiptar. Edhe Bylisi arrin të rikthehet në Kategorinë Superiore vetëm pas një viti mungesë. Goli spektakolar i Mariglen Shoshit sot ndaj Lushnjës i jep Superioren ekipit të drejtuar nga trajneri i ri, Roland Nenaj.
Në ndeshjen e sotme të luajtur në shtëpinë e këtyre të fundit, ballshiotët kanë arritur të fitojnë me rezultatin 1-0 duke u ngjitur kështu zyrtarisht mes më të mirave në futbollin shqiptar. Skuadra e drejtuar nga Nenaj ka zhvilluar një ndeshje thuajse perfekte duke mos i lënë asnjë hapësirë kundërshtarit dhe arriti ta zgjidhe ndeshjen falë golit të shënuar nga Shoshi në minutën e 35-të të ndeshjes. Lushnjarët të zhgenjyer humbasin shansin ideal për t’u ngjitur në Superior.
Një sukses i madh i arritur nga ballshiotët që i rikthehen Superiores pas vetëm 1 viti mungesë.