Gjergj Vyshka 05.01.2015 17:05
Oferta Superioreje për kapitenin e pukjanëve, Arbër Mone, deri tek Tirana pretendente për titull. Ndërsa Tërbuni shënon blerjen e parë të tregut të lëvizjeve të futbollistëve në dimër, që është shkodrani Erkoçeviç, tek pukjanët ka dhe largime.
Pas Bedi Grecës, i cili është në listën e të preferuarve të Dinamos, pa thënë që një super-ofertë për të ka ardhur nga kryesuesit e Kategorisë Superiore, Kukësi, tashmë edhe Arbër Mone duket drejt largimit.
Sipas faqes në facebook të KF Tërbunit, për mbrojtësin e majtë janë të interesuar Apolonia, që është skuadra e vendlindjes, Elbasani dhe Teuta. Por një tjetër ofertë më e mirë për të është nga Tirana, e cila pretendon të ngjitet në podiumin e kampionit.
Kësisoj katër oferta nga Kategoria Superiore për Monen e bëjnë atë më të largët për vazhdimësinë me skuadrën pukjane.