AlbanianSport.com 30.09.2014 08:50
ASNN – Tepelena, e cila është pjesëmarrëse në grupin e Jugut të Kategorisë së Dytë, e ka nisur me fitore sezonin e ri 2014-2015, teksa në fushën e vet të dielën ka mundur Përmetin, ngushtësisht 4-3. Ka qenë një fitore e përvuajtur nisur nga fakti që ajo është arritur në limitet e ndeshjes, ndonëse tepelenasit ishin përgatitur për çdo situatë. Duke parë grupin e futbollistëve që Tepelena disponon aktualisht, atëherë të gjithë, me në krye trajnerin Ilir Selimi, u del për detyrë për të punuar dhe rritur nivelin e tyre.
Ndoshta në vështirësinë e ndeshjes ka ndikuar dhe mungesa e veteranit Roland Gaba, i cili për arsye familjare ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai mban postin e Sekretarit të Klubit të Tepelenës, si dhe është ndër lojtarët kryesor. Por për të ndërtuar një skuadër të aftë, e cila duhet të ngjitet në fund të këtij sezoni në Kategorinë e Parë, është angazhuar maksimalisht dhe kryebashkiaku Tërmet Peçi. Në përfundim të ndeshjes me Përmetin, trajneri i Tepelenës, Ilir Selimi, do të deklarohej i kënaqur.
“E kisha përgatitur skuadrën për ta nisur me fitore këtë sezon, – ka thënë ai për mediat. – Aq më tepër që jemi një skuadër së cilës nuk i mungon ana financiare, ndërsa për këtë pikë është angazhuar maksimalisht dhe kryebashkiaku Tërmet Peçi, i cili është njëkohësisht dhe presidenti i klubit. Sa i përket ndeshjes, kemi arritur një fitore të mundimshme dhe besoj se në ndeshjet e ardhshme nuk do të ketë më tolerime nga ana jonë.”
“Më vjen keq që ka munguar mesfushori Roland Gaba, që është një futbollist me eksperiencë dhe si i tillë është krahu im i djathtë në skuadër, – ka vijuar kreu i pankinës tepelenase. – Vërtet e nisëm mbarë sezonin, por jam i pakënaqur nga skuadra, sepse futbolli nuk luhet vetëm 45 minuta. Pjesën e parë e kemi mbyllur në epërsi 3-1, ndërsa më pas gjithçka u përmbys. Ndaj na del një punë shumë e madhe, sepse vërtetë kjo ndeshje doli me fitore, por të tjerat janë më të vështira.”
“Që nga ajo në fushë të huaj këtë javë me Orikumin, – ka premtuar Selimi. – Do të kërkojmë të marrim në fushën e lojës atë që do të përgatisim gjatë gjithë javës. Shansi i madh është se në fushë do të jetë dhe do të luajmë një ndeshje të mirë. Do të mundohemi të ndërtojmë një formacion të tillë për të mos dalë pa pikë nga Orikumi. Dua të falënderoj tifozët, si dhe kryebashkiakun Peçi për gjithçka që jep për skuadrën. Dhe së bashku do ta nxjerrim atë në të Parën.”