AlbanianSport.com 17.12.2014 17:40
ASNN – Skuadra e tij ka korrur një fitore minimale, por të vyer në fushën e vet ndaj Himarës dhe, duke folur për shtypin sportiv të ditës, trajneri i Tepelenës, Ilir Selimi, i cili ka deklaruar: “E kishim vlerësuar në maksimum ndeshjen me Himarën, pasi vinim nga dy takime me rezultat pozitiv. Kështu që isha i vendosur, pasi edhe besimi i futbollistëve ishte i madh për fitore.”
“Kjo fitore na ka mobilizuar shumë që edhe në ndeshjen ndaj fqinjëve të Memaliajt të kërkojmë triumfin, – ka vijuar ai. – E shikoj si një ndeshje të vështirë, pasi Memaliaj ka futbollistë që i kam përgatitur vetë dhe me pak mund dhe sakrificë besoj shumë për një rezultat pozitiv. E respektoj Memaliajn pasi jemi një rreth, por në kampionat kemi secili objektiva të ndryshëm.”
“Nuk mund t’i trembem ndeshjes në fushë të huaj, pasi kanë folur dhe rezultatet që kemi marrë jashtë Tepelenës, – ka theksuar trajneri tepelenas. – Dëshira ime të zhvillohet një ndeshje e bukur për të dyja tifozeritë dhe në fund të gëzojë ajo skuadër që do të gabojë më pak, por dua të theksoj se Tepelena që unë drejtoj ka si objektiv rezultatin pozitiv, që do të thotë fitorja.”