AlbanianSport.com 20/08/2021 22:05
ASNN – Rafael Nadal nuk do të luajë në Turneun e Hapur Amerikan “US Open” dhe as nuk do të konkurrojë përsëri në pjesën e mbetur të sezonit 2021. Ky është vendimi përfundimtar i marrë nga tenisti spanjoll të premten. Nadali, i cili kishte hequr dorë nga konkurrimi në “Uimbëlldon”, në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” dhe Turnetë “Masters 1000” në Kanada dhe Sinsinati, e ka komunikuar lajmin përmes një mesazhi në profilin e tij në rrjetet sociale.
Vetë Nadal e arsyeton këtë vendim në këtë mënyrë: “Përshëndetje të gjithëve: doja t’ju informoja se për fat të keq më duhet ta mbyll sezonin 2021. Sinqerisht, kam vuajtur shumë më tepër seç duhet me këmbën time për një vit dhe më duhet të marr pak kohë. Pasi e diskutova me ekipin dhe me familjen time e mora këtë vendim dhe mendoj se kjo është rruga për të provuar të rikuperohem.” Dëmtimi në këmbë nuk është i ri për Nadal, por shumë i hershëm, që nga viti 2005.
Por ky dëmtimin nuk e pati penguar atë, deri më tani, të zhvillojë karrierën sportive gjatë gjithë këtyre viteve. Më tej, tenisti spanjoll ka sqaruar se ky largim nuk është përfundimtar, por i përkohshëm, pasi atij thjesht i duhet kohë për të parë se si do të shkojnë gjërat me këmbën dhe ndoshta do t’i duhet një trajtim i ri për të zgjidhur këtë problem. Në mënyrë ai që të rikthehet më i fortë në sezonin e ardhshëm të tenisit botëror.