AlbanianSport.com 24/02/2021 14:10
ASNN – Turneu i “Uimbëlldon”-it mbetet i kujdesshëm për heqjen e kufizimeve në Mbretërinë e Bashkuar, që do të lejonte veprimtarinë prestigjioze dhe legjendare të tenisit të luhej normalisht në qershor. Sipas zëdhënësit të qeverisë britanike, mund të ketë deri në 10,000 njerëz në stadiumet e futbollit nga 17 maji 2021, ndërsa normaliteti do të kthehej, jo para 21 qershorit, një javë para turneut të 3-të madhor (Grend Slem) të vitit.
Përkundër kësaj, “Uimbëlldon”-i vazhdon të hulumtojë mundësitë për të luajtur turneun në të gjitha skenarët e mundshëm. “Ne jemi të kënaqur të dëgjojmë njoftimet e sotme dhe shpresojmë të vazhdojmë të punojmë me Qeverinë dhe sportet e tjera, me synimin për të sjellë përsëri spektatorët në veprimtaritë tona në verë, – thanë organizatorët e turneut britanik në një deklaratë. – Ne vazhdojmë të punojmë për të zhvilluar turneun në skenarë të ndryshëm.”
“Pra, me kapacitet të plotë, të reduktuar ose me dyer të mbyllura, në mënyrë që të mund të veprojmë shpejt dhe të jemi fleksibël në varësi të mënyrës se si ndryshon situata. Megjithëse procesi i vaksinimit është shumë shpresëdhënës, ne besojmë se duhet të jemi të kujdesshëm në këtë kohë,” – shkruhej në deklaratë. Deri tani, gati 18 milionë njerëz kanë marrë dozën e parë të vaksinës në Britaninë e Madhe. “Uimbëlldon”-i ishte i vetmi “Grend Slem” që u anulua sezonin e kaluar, anulimi i tij i parë që nga Lufta e Dytë Botërore.