AlbanianSport.com 26/08/2019 21:30
ASNN – Turneu i fundit madhor i sezonit, që njihet ndryshe si “Grend Slem”, Turneu i Hapur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (US Open) do të nisë me një përballje të tenisteve të njohura. Serena Uilliams dhe Maria Sharapova ndeshen që në ditën e parë duke tërhequr vëmendjen jo vetëm të publikut, por edhe të vetë kolegeve të tyre. Më pas nis konkurrimi i meshkujve. Kështu, ndeshja e ditës së parë të turneut amerikan për femra është ajo ku do të përballen Serena Uilliams dhe Maria Sharapova.
6 herë fituesja e turneut që mbahet në Nju Jork dhe finalistja e vitit të kaluar, në një duel të kampionesh që nxit vëmendjen e të gjithëve. Bilanci prej 19 fitoresh dhe 2 humbjesh, dërrmues në favor të Serenës, e cila ka fituar ndaj Sharapovës 18 herë me radhë që nga viti 2005, nuk e ul interesin ose shikueshmërinë për këtë duel, që edhe rivalet nuk duan ta humbin kurrsesi. “Sigurisht që do ta shoh”, – ka thënë tenistja japoneze, Naomi Osaka.
“Do të jetë një lojë e shkëlqyeshme”, – thotë Simona Halep, mbretëresha në fuqi e “Uimbëlldonit”, e cila mundi pikërisht Uilliamsin. Do të jetë një provë për Serenën në përpjekjet e saj për të fituar për herë të 7-të në Nju Jork. Ndërkohë që, për meshkuj, Novak Gjokoviçi debuton kundër Roberto Karbajésit dhe Rafael Nadali, kundër Millmanin. Tenisti serb do të kërkojë të mbrojë titullin si kampion në fuqi, për herë të 3-të.
Ndërsa Nadali e ka fituar turneun amerikan për herë të fundit në 2017. Serbi dhe spanjolli, dy kampionët e fundit, janë në grupe të ndryshme, po cilësohen si favoritët e mëdhenj të Turneut amerikan dhe nuk do të ndeshen midis tyre deri në finale nëse do të arrijnë atje. Gjokoviçi dhe Nadali luftojnë gjithashtu për ngjitjen në renditjen e përgjithshme të ATP-së, për garën në “Masterin” e Londrës dhe për përfundimin e vitit në krye të renditjes botërore.