AlbanianSport.com 22/01/2021 17:55
ASNN – Tjetër rast me “Covid-19” në Turneun e Hapur të Australisë në tenis, “Australian Open 2021”. Tenistja spanjolle, Paula Badosa ka rezultuar pozitive me koronavirus, pas testit të kryer të premten. Me këtë rast shkon në 11 numri i tenistëve të infektuar në Melbërn. Kështu, Paula Badosa, ka rezultuar pozitive me virusin korona. Tenistja spanjolle ndodhej aktualisht në një hotel në Melbërn, në pritje të nisjes së turneut australian.
Ajo është tenistja e parë femër në listën e atyre që kanë rezultuar pozitivë, deri tani, në përgatitjet për të parin “Grend Slem” apo, thënë ndryshe turne madhor të vitit në Melbërn. Turneu tashmë është shtyrë me 3 javë, e do të zhvillohet nga data 8, deri më 21 shkurt 2021, për shkak të epidemisë që ka shpërthyer në shkallë globale. “Kam disa lajme të këqija, – shkroi numri 67 i botës në një postim në rrjetin social “Twitter”. – Kam dalë pozitive në testin Covid-19.”
“Ndihem keq dhe kam simptoma, – ka vijuar spanjollja. – Unë jam dërguar në një hotel të përgatitur për këtë rast, për t’u izoluar dhe monitoruar.” Një varg infeksionesh të zbuluara nga autoritetet australiane, kanë detyruar dhjetëra lojtarë të qëndrojnë të mbyllur në dhomat e tyre të hotelit për dy javë. Më shumë se 1,000 tenistë dhe stafet e tyre kanë mbërritur në Australi. Të gjithë pjesëmarrësit në turne, u vendosën në karantinë kur mbërritën në Australi. Me Badosan shkon në 11 numri i rasteve pozitive me “Covid-19” në këtë turne.