AlbanianSport.com 29/08/2019 12:25
ASNN – Shiu që ra në Nju Jork ka sjellë pështjellime në programin e Turneut të Hapur Amerikan të Tenisit (US Open 2019), por nuk e ka arritur ta ndalë sidoqoftë Novak Gjokoviçin që të fitojë 3-0 ndaj Londeros. Në turin e 3-të, kalojnë edhe Federeri dhe Nishikori. Tek femrat, Serena Uilliams, Pliskova dhe Svitolina janë kualifikuar për më tej. Është dukur më i fortë se dhimbja, por deri kur?
Novak Gjokoviçi ka kërkuar pushim dhe ndihmën e mjekut të turneut, për të vazhduar ndeshjen ndaj Huan Ignacio Londeros. Dhimbja në shpatullën e majtë e ka penguar serbin gjatë shërbimeve dhe vetëm ndërhyrja e mjekut e ka ndihmuar disi për të fituar ndeshjen 3-0 ndaj Londeros. Fitore e vështirë, por numri 1 në botë është tashmë në turin e 3-të të “US Open 2019”.
Shiu ka qenë protagonist në fushat e tenisit në “Flushing Meadows”. Por kjo nuk e ka ndalur Roger Federerin, që edhe pse jo në kushte optimale, të fitojë 3-1 me boshnjakun Damir Dzumhur. Edhe Nishikorit i janë dashur gati 3 orë lojë për të kaluar në turin e 3-të të turneut amerikan. Një fitore e vështirë për të, e arritur me shifrat 3-1 ndaj amerikanit Bredli Klahn.
Ndërkaq, Serena Uilliamsit iu deshën 3 sete për të mundur 17-vjeçaren amerikane, Keti MekNelli, numrin 8 në botë. Madje ka qenë adoleshentja ajo që i ka futur frikën amerikanes, duke fituar setin e parë 7-5. Por më pas Serena tregon se asgjë nuk ka mbarur, duke fituar dy setet e tjera 6-3 e 6-1. Vuan më pak numri 2 i renditjes botërore, Eshli Barti, në fitoren e arritur ndaj Dejvisit, duke e mundur 2-0 me sete (6-2, 7-6). Në turin e 3-të kanë kaluar edhe Pliskova e Svitolina.