AlbanianSport.com 27/08/2019 16:55
ASNN – Serena Uilliams nuk i ka dhënë asnjë mundësi Maria Sharapovës, duke e mundur 2-0 në ndeshjen e parë të Turneut të Hapur Amerikan (US Open). Kjo është fitorja e 19-të radhazi e tenistet amerikane kundër asaj ruse. Për meshkuj, kanë kaluar në turin e dytë edhe Rozher Federeri dhe Novak Gjokoviçi. Ishte ndeshja e ditës dhe ia arriti qëllimit. Në përballjen e parë të “US Open”, Serena Uilliams e shkatërroi Maria Sharapovën brenda 59 minutash lojë, duke e mundur 2-0 me sete, 6-1, 6-1.
Nuk kishte asnjë mundësi tenistja ruse për të përballuar furinë dhe forcën e amerikanes. Serena arriti kështu fitoren e 19-të radhazi ndaj Marias, duke nisur mbarë rrugën në turneun amerikan, në përpjekje për të fituar trofeun, që do të jetë për të i 23-ti turne madhor (Grend Slem. Ajo do të ndeshet tani me bashkatdhetaren e saj, Kethrin MekNelli, e cila mundi 2-0 zviceranen Timea Baçinskia. Ndërkaq, ka qenë si një stërvitje për Novak Gjokoviçin ndeshja e parë në turneun amerikan.
Ai ka mundur Roberto Karbajésin në 3 sete (6-4, 6-1, 6-4). Tenisti serb do të përballet në ndeshjen e dytë me Huan Ignacio Londeron, i cili ka shkëlqyer në fitoren 3-1 ndaj amerikanit Sam Kuerri. Për Rozher Federerin nuk ka qenë e lehtë fitorja në ditën e parë. Në fushën mitike “Arthur Esh”, ai humbi setin e parë ndaj tenistit indian, numrit 190 në renditjen botërore, 22-vjeçarit Sumit Nagal.
Nuk dihet nëse ngjashmëria e mbiemrit të 22-vjeçarit me kundërshtarin e tij të përhershëm, Rafael Nadalit, që ndikoi në sjelljen e çuditshme të zviceranit në atë ndeshje që zgjati 2 orë e 29 minuta, deri në fitoren e Federerit me rezultatin e përgjithshëm 3-1. Në turin e dytë, Federer do të ndeshet me boshnjakun Damir Xhumhur.