AlbanianSport.com 28.01.2017 15:25
ASNN – Serena Uilliams ka mposhtur motrën e saj të madhe, Venusin, duke siguruar trofeun e “Australian Open”. Serena fitoi duelin e motrave Uilliamsin, me rezultat 2-0 (6-4, 6-4). Me këtë fitore, Serena Uilliamsi siguroi titullin e 23-të “Grend Slem”, duke u bërë tenistja më e suksesshme në histori.
Kështu, Serena Uilliams shndërrohet në një prej legjendave të tenisit botëror. Amerikania fitoi “Australian Open”, duke e çuar në 23 numrin e titujve madhorë në karrierë, për të kaluar më në fund gjermanen legjendare, Stefi Grafin. Tani, përpara Serenës ka mbetur vetëm Margaret Smithi, me 24 tituj “Grend Slem”-e.
Në finalen e turneut të këtij viti, Serena Uilliams 35 vjeç, mundi motrën e saj Venus me rezultatin 2-0 me sete 6-4, 6-4 duke përsëritur suksesin e finales së vitit 2003 pikërisht në “Australian Open”. Për Serena Uilliamsin, kjo është hera e 7 që fiton turneun e Melbërnit.
Në të njëjtën kohë, kjo është fitorja e 17-të e saj në 28 përballjet me Venusin, që ka mbetur në kuotën e 11 sukseseve. Por jo vetëm kaq, finalja e këtij viti në “Australian Open” ishte e 9-ta mes motrave Uilliams, me Serenën që ka një epërsi të dukshme me 7 fitore, kundrejt 2 humbjeve.
Ditën e diel në “Australian Open” do të luhet finalja e meshkujve ku përballë do të jenë dy prej emrave më të mëdhenj të këtij sporti, Rozher Federerit dhe Rafael Nadalit.